Ekipet kombëtare të moshave janë mbushur me lojtarë shkodranë.
Dhe jo vetëm ata që vijnë nga Akademia Vllaznia por edhe të tjerë që jetojnë jashtë vendit.
Njëri prej tyre është 16 vjeçari Elmando Gjini. Jeton në Stokholm të Suedisë dhe atje po spikat me paraqitjet e tij.
Grumbullimi i tij me kombëtaren U-17 të Shqipërisë ka bërë që menaxherë të ndryshëm ta pikasin dhe t’i ofrojnë një provë në Itali.
Pikërisht tek klubi i Sampdorias. Një provë e ka bërë dhe këto ditë do të bëjë edhe të dytën, atë ndoshta më vendimtaren që mund të vendosë edhe fatin e tij të mëtejshëm.
I datëlindjes 28 gusht 2002, Elmando Gjini ka lindur në Shkodër. Ai na bën të ditur se është nipi i Zeff Gjinit, një mjeshtri të njohur në këtë qytet për punimet me dru.
Megjithatë, vetëm pas gjashtë muajsh pas lindjes, bashkë me familjen e tij është zhvendosur për në Suedi.
Atje nis të luajë shumë shpejt futboll duke u angazhuar me ekipe të ndryshme moshash ndërkohë që këto vitet e fundit luan për IF Brommapojkarna.
Duke luajtur me këtë ekip, para disa kohësh është vlerësuar si një nga futbollistët më të mirë të Stokholmit.
Por gjasat janë që të ndryshojë sërish ekip. Kjo ngaqë dëshira e tij është të afrohet vendlindjes së tij.
Për këtë arsye, para disa kohësh ka qenë në provë tek ekipi i Sampdorias dhe drejtuesit e Akademisë së tij e kanë pëlqyer.
Prandaj dhe e kanë kërkuar sërish për një provë të dytë para se të vendosin përfundimisht për marrjen e tij.
Prova e dytë pritet të bëhet këto ditë dhe Elmando do të udhëtojë nga Suedia drejt Italisë për të gjetur ndoshta fatin e karrierës së tij.
Pozicioni: Ka diçka të veçantë në fizionominë e tij ky futbollist. Ka një shtatëlartësi për t’u vlerësuar, është 1.95 m i gjatë.
Mjafton të shohësh foton e tij me kombëtaren U-17 dhe e dallon qartë lojtarin me numrin 19. Interesant është edhe pozicioni ku luan: në mesfushë!
Futbollistë me shtatëlartësi të tillë zakonisht janë ose qendërmbrojtës ose qendërsulmues.
Por Elmando Gjini luan si mesfushor qendre, teksa i bën mirë të dyja detyrat, si atë organizative ashtu edhe në lojën shkatërruese.
Kombëtarja: Këtë element ua ka sugjeruar dikush stafit të ekipeve tona kombëtare dhe një vit më parë i dërguan ftesën për një grumbullim ku do të testohej për aftësitë e tij.
Ndonëse i një datëlindje më të vogël, Gjini la përshtypje të mirë tek trajneri i kombëtares U-17 Mustedanagiç që vendosi ta përshinte në planet e tij.
“Jam i lumtur që luaj për Shqipërinë dhe do të mundohem të tregoj vlerat më të mira të miat, sa herë që të më ftojnë për të veshur fanellën kuqezi”- thotë Elmando në një prononcim të shkurtër për “Shkodra Sport”.
Gjergj KOLA