Gjergj KOLA
Elsajed Guri, edhe sporti i mundjes nxjerr kampionë në Shkodër
Përveç basketbollit, në Shkodër ka edhe të tjerë kampionë. Një ndër ta është edhe mundësi 17 vjeçar Elsaed Guri I cili pak ditë më parë, në kampionatin e moshës së tij përveçse ka dalë kampionë, është vlerësuar edhe si sportisti më I mirë I Shqipërisë. Në një intervistë për gazetën www.shkodrasport.com, Guri që është pjestar I familjes së njohur që ka nxjerrë kampionë të mëdhenj në këtë sport, shpreh ëndërrat e tij për karrierën në vazhdim. “Suksesi në kampionatin e fundit ku u shpalla kampion në peshën time dhe u vlerësova si sportisti më i mirë i aktivitetit, ma kanë shtuar dëshirën për të bërë gjëra të mira edhe në të ardhmen. Kuptohet që ëndërra ka shumë por unë kam një dëshirë të madhe: të bëhem kampion bote si kushëriri im- Elis Guri”- ka thënë Elsaedi. E ndërsa Guri ka ëndërrat e tij, sigurisht që duhet ndalur edhe tek vështirësitë që ai dhe shokët e tij të ekipit hasin çdo ditë në stërvitje. Trajneri I mirënjohur Dedë Bregu, edhe njëherë tjetër bën apel për kushte më të mira për këta sportistë sepse mundja sipas tij meriton më shumë vëmendje. “Kam që në vitin 1999 që punoj pranë këtij ekipi dhe kushtet nuk janë përmirësuar asnjëherë. Pavarësisht kësaj, bashkë me kolegun tim Nazmi Elezi po mundohemi të nxjerrim kampionë dhe një i tillë është edhe Elsaed Guri që ka shumë perspektivë në këtë sport. Palestrën e re e kemi gati por na mungon vetëm tapeti që na është premtuar disa herë nga ana e Federatës por asgjë nuk ka ndryshuar në këtë drejtim”- ka thënë Bregu.Kushtet aktuale tek mundja shkodrane këto janë. Por e rëndësishme është që ne kemi kampionë sërish dhe Elsajed Guri është njëri prej tyre që premton shumë për të ardhmen.