Një prej kampionateve më të ndjekur dhe më të fortë në Evropë, siç është ai i Italisë, mund t’i shtohet shumë shpejt edhe një tjetër futbollist shqiptar. Bëhet fjalë për Elseid Hysajn, i cili pas Canës, Bogdanit, Çanit dhe Ujkanit mund të bëhet legjionari ynë i 5-të në Serinë A.
Mbrojtësi i përfaqësueses sonë, i cili aktivizohet në Serinë B me Empolin, pas paraqitjeve të mira në këtë sezon me klubin ku luan dhe debutimit me Shqipërinë në miqësoren ndaj Gjeorgjisë i ka shtuar shumë kredenciale profilit të tij, duke rënë në sy të shumë skuadrave të njohura.
Sipas asaj që raportojnë mediat italiane, Hysaj mund të transferohet tek Udineze gjatë merkatos së verës. Presidenti i klubit “friulian” ka bërë hapa konkretë drejt arritjes së marrëveshjes me mbrojtësin 19-vjeçar. Megjithatë, Udineze nuk është e vetmja skuadër që është vënë në gjurmët e Elseid Hysajt, pasi edhe Xhenova e Kievo kërkojnë ta bëjnë për vetë futbollistin shkodran.
Disa ditë më parë, 19-vjeçari ka pranuar se në adresë të tij ka ardhur një ofertë nga ana e Katanias, por duket se klubi që drejtohet nga presidenti Poco është një hap para për të arritur te Hysaj. Mendohet se shuma që duhet të paguajnë ekipet që interesohen për lojtarin e përfaqësueses sonë kap shifrat e 500 mijë eurove.
Por kjo shumë mund të tejkalohet nëse paraqitjet e tij me Shqipërinë dhe mbi të gjitha me Empolin në Serinë B do të jenë në nivele edhe më të larta. Seria A do të jetë padyshim një hap i rëndësishëm në karrierën e tij dhe eksperienca që do të fitojë nga aktivizimi në një prej kampionateve më të rëndësishëm në Evropë do të jetë një plus edhe për Kombëtaren tonë. Hysaj u aktivizua për disa minuta në miqësoren ndaj Gjeorgjisë, sfidë që Kombëtarja jonë e humbi me rezultatin 1-2, ndërsa shkodrani pranoi fajin në rastin e pësimit të golit të dytë, pasi ai nuk ishte i pozicionuar siç duhet.
Megjithatë, ishte vetëm ndeshja e tij e parë me kuqezinjtë, ndërsa emocionet ndoshta nuk e lejuan atë të jepte më të mirën në këtë 90-minutësh. Ai cilësohet si një nga lojtarët me të ardhme në përfaqësuesen tonë, kjo edhe sipas mediave dhe specialistëve të futbollit italian.
www.shkodrasport.com