Elseid Hysaj dhe Lacio e tij këtë javë do të vihen përballë kundërshtarëve mjaft të vështirë, por me të cilët u duhet medoemos rezultat. Bardhekaltrit përballen me Milanin dhe për të tentuar që të kthehen në garë për një vend në Ligën e Kampioneve, u duhet të mundin kuqezinjtë.
“Ndeshje të tilla i ëndërron që t’i jetosh kur je fëmijë, do të jetë një ndeshje shumë e bukur. Kemi mundësinë që të bëjmë mirë kundër një skuadre të madhe si Milani”, u shpreh mbrojtësi shqiptar në një intervistë për mediat e klubit. “Do të na nevojitet e njëjta Lacio që u pa kundër Bajern Mynih, ndaj e vëmendshme, që të dijë të përballojë e pastaj kalojë momentet e ndryshme të vështirësisë që do të ketë gjatë ndeshjes”.
Më pas, futbollisti foli edhe për një objektiv të veçantë të cilin mund të arrijë këtë sezon, 300 ndeshjet në Serinë A. “Është një arritje shumë e bukur për karrierën time, shpresoj që të bëj më shumë. Kur isha fëmijë e nisa me idenë për të luajtur futboll thjesht me miqtë e mi dhe mbërrita në Serinë A. Duhet vetëm të mendoj gjërat pozitivisht, të jem i lumtur dhe të mundohem që të përmirësohem çdo ditë sa më shumë.
Sarri? Shpresoj që të jetë me Lacion për shumë kohë. Edhe unë me atë, si gjithmonë. Më pëlqen të luaj futbollin e tij, shihet, dhe shpresoj që të jap maksimumin për të”, tha Hysaj në intervistën e tij.