Mbrojtësi i kombëtares tone Elseid Hysaj ka qenë titullar në përballjen e Empolit me Padovën, e vlefshme për javën e 27-të të kampionatit të Serisë B, ndeshje e cila përfundoi 1-1. Mbrojtesi shkodran edhe në këtë ndeshje bëri një paraqitje shumë të mirë. 19 vjeçari që debutoi në kombëtaren shqiptare në ndeshjen ndaj Gjeorgjisë, prej disa javësh është duke luajtur titullar me skuadrën italiane. Ai është i padiskutueshëm në formacion për këtë skuadër duke dhënë kontributi e tij maksimal në çdo takim. Empoli me 40 pikë të grumbulluara ndodhet në vendin e pestë të Serisë B dhe do kërkojë të ngjisë edhe një shkallë në renditje.


Këtë javë do luajë në transfertë me Breshian dhe Hysaj sigurisht që parashikohet të jetë titullar nga minuta e parë. Ky vit do mbahet mend gjatë nga futbollisti shkodran. Nga ekipi i të rinjve ku spikati me paraqitjet e tij, u ofrua tek ekipi i parë dhe menjëherë trajneri i tij duke parë aftësitë e këtij futbollisti, i ofroi një vend në formacion dhe Hysaj nuk e ka zhgënjyer. Ai ka fituar edhe vëmendjen e medias italiane sidomos pas aktivizimit edhe në ndeshjen me kombëtaren shqiptare duke qenë i treti futbollist më i ri që luan me këtë fanellë pas Nallbanit dhe Çeços.
www.shkodrasport.com