Kur gjithçka po shkonte mirë dhe atmosfera ishte pozitive, vjen lajmi që prish planet e trajnerit Edi Reja. Ledian Memushaj nuk ia ka dalë të rikuperohet dhe stafi i Kombëtares shqiptare ka vendosur ta lirojë. Mesfushori vlonjat do t’i nënshtrohet një ndërhyrjeje kirurgjikale në gju dhe do të marrë kohën e riaftësimit. Një mungesë e rëndësishme për Kombëtaren në prag të dy ndeshjeve eliminatore.

Kombetarja
Por nuk përfundon këtu, pasi Egzon Binaku nuk do të paraqitet fare në grumbullim për shkak të dëmtimit që ka pësuar me ekipin e tij të Norrkopingut. Ai ishte prezent në listë, por nuk do të vihet nën urdhrat e trajnerit Reja. Mungesë tjetër është edhe ajo e Marash Kumbullës, i cili ka impenjime me skuadrën e tij Verona dhe do t’i bashkohet ekipit U-21.

HYSAJ- Si të mos mjaftonin problemet e mësipërme, Elseid Hysaj ishte ai që trembi stafin dhe lojtarët e Kombëtares në stërvitjen e djeshme. Në mënyrë të befasishme dhe të rrufeshme u largua përpara të gjithëve duke lënë të kuptohet se kishte ndonjë dëmtim.

Burime për “Panorama Sport” konfirmuan se ai u largua drejt qytetit të tij të lindjes, Shkodrës për të promovuar një biznes. Diçka e tillë as që nuk ëndërrohej kur trajner ishte Kristian Panuçi, por me Rejan, Kombëtarja është më e lirshme dhe rregullat nuk janë si “diktaturë”. Megjithëse për të kup tuar nëse kjo është rruga e duhur apo jo, duhet të presin rezultatet e dy ndeshjeve të para.

STËRVITJA- Humor, batuta mes njëri-tjetrit, lojëra, biseda në grup dhe punë”. Kjo është atmosfera në kampin kuqezi në këto ditë grumbullimi, në prag të dy ndeshjeve të radhës. Jo vetëm në oraret e pushimit, por edhe në stërvitje lojtarët janë shumë të lirshëm dhe nuk mungojnë batutat mes tyre dhe trajnerit, apo edhe me pjesëtarë të stafit teknik. Situata është shumë optimiste dhe kuqezinjtë duket sikur e kanë pritur me padurim Rejan në krye të skuadrës.

Lojtarët janë shumë të kënaqur me të dhe nëse kjo situatë pasohet nga rezultatet pozitive në këto dy ndeshje, atëherë mund të themi se Kombëtarja ka gjetur njeriun e duhur për ta drejtuar. Pasditen e djeshme, kuqezinjtë zhvilluan një seancë të ngarkuar, duke e nisur që prej orës 16.30, pra gjysmë orë përpara orarit zyrtar (17.00).

FORMA- Nga çka duket në seancat stërvitore, pavarësisht sezonit të gjatë dhe të lodhshëm, kuqezinjtë duken në formë dhe të etur për punë dhe rezultat. Gjatë këtyre ditëve ka rënë në sy forma e shkëlqyer e sulmuesit Bekim Balaj, i cili duket edhe më seriozi në seancat stërvitore duke punuar shumë, shumë fort.

Sulmuesit i ka përfunduar kontrata dhe është në kërkim të një skuadre të re, ndaj edhe po punon shumë fort për të bërë përshtypje te skuadra të ndryshme që do donin shërbimet e shtatlartit shkodran të Kombëtares. Edhe pjesa tjetër e grupit duket shumë e impenjuar.