Elseid Hysaj ka kërkuar që Napoli të lërë menjëherë pas krahëve eliminimin në Kupën e Italisë dhe të përqendrohet te kampionati, që është edhe objektivi kryesor i të kaltërve në këtë sezon. Mbrojtësi shkodran i napolitanëve, ka dhënë një intervistë për radion “Kiss Kiss Napoli”, ku është shprehur mjaft i lumtur me aventurën në këtë qytet, por edhe lojën e skuadrës ku militon. “Ndihem shumë mirë në Napoli dhe më pëlqen futbolli që bëjmë, kemi dëshirë të madhe për të reaguar dhe për të dhënë më të mirën. Sarri na kërkon të jemi më të egër, por mendoj se jemi mjaftueshëm inteligjentë dhe i kemi kuptuar gabimet tona. Kampionati është i gjatë dhe duhet të mendojmë ndeshje pas ndeshje. Inter dhe Roma janë shumë pranë dhe mund të na bashkohen në luftën për titullin”, deklaroi Hysaj.