Kalimi i Kristiano Ronaldos në Itali te skuadra e Juventusit, padyshim që mbetet një ndër transferimet më të bujshme të viteve të fundit dhe prania e portugezit në Serinë A, është një ndër reklamat më të mira për futbollin italian.

Këtë fakt e kanë pranuar shumë figura nga bota e sportit si në Itali, ashtu edhe jashtë. Një ndër të fundit që ka komentuar kalimin e CR7-ës është mbrojtësi i Kombëtares, Elseid Hysaj.

Në një prononcim për mediat italiane, Hysaj e ka vlerësuar maksimalisht figurën e Ronaldos dhe faktin që një lojtar si ai do të luajë në futbollin italian, por kjo gjë nuk e ka penguar që të tregojë edhe njëherë objektivat që klubi i Napolit ka.

“Do të jetë një kampionat shumë i bukur, sidomos me ardhjen e Kristiano Ronaldos te Juventusi dhe Ançelotit te Napoli. Edhe të tjerët po përgatiten shumë mirë, si përshembull Interi.

Ne nuk na pengon askush dhe po përgatitemi që të japim maksimumin si në kampionat, ashtu edhe në Ligën e Kampionëve dhe në Kupën e Italisë. Nuk duhet lënë asgjë prapa dhe trajneri Ançeloti, kërkon nga ne mbrojtësit që të bëjmë gjëra të veçanta në fushë”, tha mes të tjerash Hysaj. /Vipsport/