Vetëm 5 vite më parë luante akoma në Shkodër, ndërsa më datë 6 shkurt të këtij viti, Elseid Hysaj debutoi me Kombëtaren, pas një sezoni fantastik me Empolin. 19-vjeçari është lojtari i tretë më i ri që ka luajtur me përfaqësuesen tonë, dhe ky duket se është vetëm fillimi. Në një intervistë për portalin “Asport. Info”, mbrojtësi shkodran shprehet i befasuar dhe ende nuk arrin ta besojë se ka veshur fanellën kuqezi, atë fanellë që ai e ka ëndërruar gjithmonë. Një djalosh shumë i talentuar dhe i dashur, Elsi duket se ka ato cilësi që e bëjnë një njeri të madh, dhe mbase një lojtar të tillë në të ardhmen. Një ëndërr u realizua të mërkurën për ju, si ishte debutimi me Kombëtaren?
Po, është e vërtetë. Një ëndërr shumë e bukur dhe akoma nuk e besoj që është realizuar. Ishte hera e parë për mua që luaja në stadiumin “Qemal Stafa” dhe për më tepër me Shqipërinë. Kisha pak emocione në këtë debutim, emocione që ikën pasi preka topin e parë. Lojtarët më ndihmonin duke më dhënë forcë, ndërsa tifozët ishin fantastikë. I falënderoj të gjithë për mbështetjen ndaj meje.
Trajneri De Biazi flet me superlativa për ju, çfarë ju ka thënë personalisht?
Është një profesionist i madh. Kemi folur në telefon kur më bëri ftesën. Më përgëzoi për sezonin që po bej tek Empoli. E falënderoj shumë për besimin që më ka dhënë. Më tha që të vazhdoj në këtë mënyrë, për të arritur majat në këtë sport.
Një ditë para sfidës, “La Gazetta dello Sport” ju kishte kushtuar një artikull, duke u përqendruar te historia interesante e fillimit të karrierës suaj në Itali, si ka nisur dhe si është zhvilluar deri në këtë pikë karriera juaj?
Babi im njoftoi një menaxher dhe i tha që kam një djalë që luan në Shqipëri. Unë isha vetëm 10 vjeç dhe ai i premtoi se do të më çonte në kampionatin Italian kur të mbushja 15-të dhe do më provonte. Pas 5 vitesh babi e telefonoi dhe i tha se ishte ai burri me të cilin ai kishte folur vite më parë. Erdha në Itali, dhe menaxheri në fjalë më mundësoi një provë tek Empoli, të cilën e fitova.
Me moshat dola 2 vite radhazi në finale të kampionatit, të cilat fatkeqësisht i humbëm. Ndërkohë që luaja me moshat 1 vit më të mëdhenj se vetja, më thërriti skuadra e parë ku fillova të stërvitesha rregullisht. Një ditë u dëmtua njëri prej mbrojtësve, dhe trajneri më dha mundësinë për t’u aktivizuar në formacion. Që prej asaj ndeshje kam qenë gjithmonë titullar tek Empoli. Ka ndodhur çdo gjë shumë shpejt dhe as vetë nuk e kisha menduar të ecja kaq shumë.
Duhet të jesh duke jetuar ëndrrën…?
Akoma nuk e besoj që kam luajtur me vendin tim, gjë që e kam ëndërruar dhe dëshiruar që i vogël.
Nga akademia më e madhe shqiptare në një nga më të mëdhatë në Itali. Klaudio Markizio, Vinçenco Montela, Antonio di Natale, Luka Toni etj. janë disa nga emrat që kanë luajtur për Empolin. Besoni që jeni edhe ju në këtë rrugë?
E drejtë. Sigurisht që edhe unë shpresoj që të bëj të njëjtën rrugë si këta lojtarë të mëdhenjtë, pavarësisht se e di që është goxha e vështirë.
Duhet të kesh një ekip për të cilin ëndërron të luash një ditë, edhe një lojtar sigurisht?
Tifoz jam me Interin, ndërsa lojtar të preferuar kam Havier Zanetin.
Si janë marrëdhëniet tuaja me ‘simbolet” e Shqipërisë në Itali, Lorik Canën dhe Igli Taren?
Canën e kam takuar gjatë grumbullimit të fundit me Kombëtaren. Një profesionist i madh, një njeri shumë i thjeshtë dhe i sjellshëm. Me Taren kam kontakte të vazhdueshme dhe shkoj shumë mirë. Edhe Cana edhe Tare më kanë dhënë këshilla, të cilat i kam dëgjuar me vëmendje.
Cilat janë objektivat e tua me Empolin këtë sezon dhe Kombëtaren?
Do të përpiqem të qëndroj në formacion deri në fund të kampionatit pastaj do të shoh nëse ka ndonjë ofertë për të lëvizur. Shpresoj që të me jepet mundësia për të vazhduar më tej.
Keni pasur kontakte me ndonjë klub tjetër deri tani?
Ofertë zyrtare kam pasur vetëm nga Katania, ndërsa interesimet e tjera kanë qenë pa ofertë zyrtare. Deri në qershor sigurisht që nuk mund të largohem. Më pas të shoh. Për momentin mendoj vetëm për të bërë sa më mirë tek Empoli.
Si i shikoni mundësitë e Kombëtares sonë në këto Eliminatore?
Besoj që do të arrijmë shumë. Kam besim te skuadra jonë përfaqësuese. Me De Biazin në krye mendoj që mund të bëjmë ndonjë të papritur drejt kualifikimit.
Diçka të fundit për tifozët shqiptarë?
Nuk e prisja që do të më mbështetnin kaq shumë. Janë thjesht fantastikë, sepse na ndjekin jo vetëm në takimet që luajmë në Shqipëri, por edhe jashtë saj. Ju them që do të jap gjithçka për fanellën kuqezi dhe se do të mundohemi të gjithë shumë që të kualifikohemi për tifozët tanë.