Shqipëria do të përballet të shtunën me Francën në kuadër të eliminatoreve për Euro 2020. Në prag të këtij takimi, për mediat franceze ka folur Elseid Hysaj i cili duket se është besimplotë se Shqipëria e ka forcën për të dalë me pikë nga kjo ndeshje.

Mbrojtësi shkodran u shpreh se kuqezinjtë kanë treguar se dinë të hapin probleme kur luajnë pa frikë. Sakaq, ai shtoi se Shqipëria së shpejti do të jetë ndër skuadrat më të mira pasi po i rritet një brez shumë i talentuar futbollistësh.

“Shqipërisë i mungojnë golat pasi edhe në ndeshje të tjera kemi treguar se dimë të luajmë, kemi shkuar deri te porta por nuk kemi arritur të shënojmë. Mendoj se edhe fati është një pjesë e rëndësishme që na mungon. Ne kemi sulmuesit që po shënojnë me klubet e tyre dhe shpresoj ta bëjnë edhe me Kombëtaren.

Për ne ka qenë një eksperiencë e paharrueshme kur jemi kualifikuar në Europian dhe shpresoj ta përjetojmë sërish. Kemi një skuadër të mirë me futbollistë që stërviten shumë dhe besoj se kjo ditë do të vijë sërish.

Pak shqiptarë në Europë? Ky është një problem sepse është shumë i kufizuar numri i ekstra-komunitarëve në Europë. Besoj se ata do të tregojnë veten e tyre dhe do të shtohen në klubet europiane pasi si te Shpresat, ashtu edhe me skuadrat e moshave po rriten breza që premtojnë shumë.

Franca? Kemi provuar në vitin 2016 që dimë si të luajmë kundër Francës. Bëmë një ndeshje të mirë dhe treguam se dimë të ambientohemi. Nëse luajmë lojën tonë dhe pa frikë dhe duke mos menduar se janë kampionë bote, do të përballemi me to. Do të vëmë zemrën dhe do të shohim se çfarë ndodh. Në futboll ndodh gjithçka dhe me këtë trajner e këto futbollistë, Shqipëria mund edhe të fitojë”, tha Hysaj./VipSport/