Asnjë nuk mund ta dëshmojë, por e sigurt është se Gëzim Hysajt, të atit të Elseidit (Elsi për shokët), do t’i jenë mbushur sytë me lot në ndeshjen Shqipëri-Gjeorgji, më 6 shkurt të këtij viti, pra thuajse vetëm katër muaj më parë, kur ka parë të birin teksa debutoi me fanelën kuqezi. Vetëm 18-vjeç, mbrojtësi zbriti në fushë në pjesën e dytë, duke u bërë kështu i treti futbollist më i ri që debutonte me Shqipërinë, pas Iljaz Çeços dhe Blendi Nallbanit (nën 18-vjeç). Një krenari për familjen Hysaj, e cila nga Shkodra, duke parë vështirësitë ekonomike të asaj kohe në Shqipëri, emigroi drejt Italisë, kur Elsi kishte vetëm dy muaj që kishte lindur. Ishte koha kur thuajse të gjithë shqiptarët emigronin për një punë më të mirë dhe për t’i dërguar para familjes, në vështirësi ekonomike, pasi Shqipëria vinte menjëherë pas regjimit komunist. Elsi u rrit me gjyshërit dhe nënën e tij, në Shkodër, aty ku nisi të hidhte hapat e para, të shkollohej dhe të niste të luante me top. Me të rinjtë e Vllaznisë, ai nisi të praktikohej dhe të rritej edhe fizikisht dhe teknikisht. Në atë kohë, Vllaznia ende nuk kishte akademinë e saj, që sot është e njohur për zbulimin e talenteve të ndryshëm (Vajushi, Bala, Sukaj shembujt më konkretë).

Rastësia – Thonë që rastësia është ajo që shpesh bën që gjërat të marrin një drejtim tjetër, por besimtarët e quajnë “shenjën e fatit dhe planin e Zotit”, ndaj edhe ndodhi që i ati i Elsit, Gëzimi, i cili punonte murator, shkoi për ristrukturimin e shtëpisë së një prej agjentëve më të njohur në zbulimin e talenteve në shërbim të Empolit, Marko Piçioli. Pikërisht ky takim me agjentin e plotfuqishëm bëri që fati i Elsit të ndryshonte. I ati, Gëzimi, i pasionuar pas futbollit, i kërkoi miqësisht agjentit që të merrte në provë të birin tek të rinjtë e Empolit, pra paramoshat, por Piçioli i kërkoi kohë, pasi Elsi ishte vetëm 10-vjeç dhe tepër i ri për t’u provuar. Sipas një ligji italian, duhet të mbushësh moshën 14-vjeç për të ndërruar qytet dhe shtet, pra për t’u provuar në një skuadër futbolli jo në qytetin tënd. Dhe ndodhi kështu që agjenti i kërkoi Gëzim Hysajt që të kthehej dhe ta takonte kur Elsi të mbushte 14-vjeç. Dhe, pesë vjet më vonë, kur ai mbushi 15-vjeç, i ati, pasi e mori në Itali dhe pasi ky i fundit u pajis me dokumentacionin e nevojshëm për të qëndruar (pas tij u transferua edhe e ëma), të dy shkuan tek Piçioli, që dha “Ok” për provën e tij. Një provë e cila rezultoi e suksesshme, sepse Elseidi u pëlqye së tepërmi. Pikërisht agjenti në fjalë e asistoi dhe nisën oferta të ndryshme, qoftë edhe nga Fiorentina, por Elsi u regjistrua në Akademinë e Empolit. Aty nisi edhe karriera e tij.

Rritja – Nga aty nisi edhe ngjitja e mbrojtësit, i cili duke luajtur fillimisht me paratërinjtë e Empolit u dallua për grintën, driblimet dhe sidomos inkursionet në krah me top në këmbë. Pas pak kohësh, ai bëri edhe kalimin tek skuadra e të rinjve të Empolit. Ishte vera e vitit 2009 kur ai u përzgjodh të luante pikërisht me këtë skuadër.

Me Kabashin – Shumë nuk e dinë, por Elseidi mbërriti tek të rinjtë e Empolit dhe gjeti aty Kabashin, që kishte një histori krejt ndryshe dhe kishte më shumë kohë tek toskanët. Elsi nuk pati ndonjë raport të ngushtë me Elvisin, por ai u mundua që t’i tregonte se si funksiononin gjërat, derisa mbrojtësi të mësonte mirë italishten. Pas një viti që iu desh për të perfeksionuar gjuhën, menjëherë ai u bë i rëndësishëm për skuadrën, ndërsa fitoi besimin e të gjithëve. U deshën tre vjet, në fakt, që Elsi të kalonte në ekipin e parë, ndërsa Elvis Kabashi preferoi të transferohej tek të rinjtë e Juventusit për një shifër rreth 1 mln euro, të paktën nga sa u shkruajt në shtypin italian, edhe pse Empoli kurrë nuk e bëri të ditur shifrën zyrtare.

Ekipi i parë
– Më pas, Hysaj, pasi ishte stërvitur me ekipin e parë, por duke mos luajtur asnjë takim në sezonin 2011-2012, në këtë sezon që ende s’është mbyllur, ka luajtur deri tani plot 31 ndeshje, nga të cilat 29 si titullar dhe vetëm dy herë nga stoli. Për trajnerin Sarri, në fakt, Hysaj u bë i domosdoshëm në të majtë të mbrojtjes, me inkursionet e tij. Dhe fakti që mesatarja e notave të marra gjatë sezonit ka qenë rreth 6 është konfirmimi i rritjes dhe pjekurisë së fituar nga Elsi, që kujtojmë është vetëm 19-vjeç. I vetmi peng? Ende asnjë gol me Empolin, por ai shpreson ende, sepse kanë mbetur edhe dy ndeshjet e fundit, ato vendimtare të “play-off” për Serie A.

Serie A – Pikërisht, ndeshjet finale me Livornon do të vendosin edhe të ardhmen e tij. Në fakt, nëse Empoli do të arrijë të ngjitet në Serie A, atëherë ka shumë mundësi që Hysaj të vazhdojë të luajë me klubin toskan, në të kundërt mund të kërkohet nga ndonjë ekip tjetër. Tentativa, edhe pse vetëm në “ajër”, ka pasur nga Fiorentina dhe Lacio. Sidomos bardhekaltërit, ku drejtori sportiv, Tare është i vëmendshëm ndaj të rinjve interesantë. Por karriera e tij është vetëm në fillim, një fillim i cili s’do të ishte i mundur nëse i ati, Gëzimi, s’do të kishte shkuar në Itali dhe takuar me agjentin.

4 Mln është vlera e kartonit të Elseid Hysajt. Mbrojtësi kërkohet nga disa skuadra, mes tyre dy “big”, Fiorentina dhe Lacio

3 Ndeshje ka zhvilluar mbrojtësi me fanelën e Shqipërisë. Ai ka luajtur në miqësoren me Gjeorgjinë, 10 minuta me Norvegjinë për kualifikueset “Botëror 2014” dhe ndaj Lituanisë