Elseid Hysaj nuk e ka kapërdirë lehtë barazimin ndaj Andorrës në natën e të enjtes në Elbasan. Kapiteni i përfaqësueses shqiptare nuk ka ngurruar të shprehë pakënaqësinë e tij edhe përballë shokëve të skuadrës, para të cilëve ka folur me tone të larta në dhomat e zhveshjeve menjëherë pas sfidës në disa momente shumë të tensionuara që u përjetuan brenda grupit kuqezi.

Mbrojtësi kuqezi, pas sfidës ka folur pa dorashka për VIP Sport mbi atë që pa në fushën e lojës dhe gabimet që çuan në këtë barazim që ishte turpërues për imazhin e Shqipërisë. Gjithsesi, ai beson se duke korrigjuar disa gabime e sidomos mentalitetin, Shqipëria mund të bëjë para e të ecë në rrugën për kualifikimin në turne madhor.

Elsi, çfarë ndodhi?
Ndodhi që u futëm shumë lehtësisht në këtë ndeshje, duhej që  të ishim më të egër në fushë për të fituar lojën me këtë skuadër si Andorra. Dukej sikur ne kishim frikë kundër tyre por duhej të luanim ne, jemi në shtëpinë tonë dhe duhej të tregonim vlerat tona.

Pse u bënë kaq shumë gabime?
Ishte një problem mentaliteti, jo loje, pasi e kishim lojën nën kontroll. Thjesht ata dy gola të shpejtë që  ndodhën rastet dhe ai goli i dytë ishte trekëndësh, e preku një i yni, një i tyre dhe shkoi në trekëndësh. Nuk ke çfarë i bën.

Çfarë u the shokëve pas ndeshjes, kur fole para skuadrës?
Pak u bërtita sepse vërtetë dua që të jemi më të përqendruar kur luajmë ndaj skuadrave të vogla, të mos i marrim kaq lehtë. Sepse gjithmonë kemi gabuar me skuadrat e vogla por duhet ta ndryshojmë mentalitetin.

Sipas teje, çfarë tregon ky lloj rezultati për ekipin?
Tregon që në ndeshje të tjera duhet të jemi më të përqendruara se nuk ka mundësi  të dalësh barazim me këto lloj skuadrash.

Ku e sheh ekipin tani, pas kësaj ndeshje? A i ka realisht shanset që përmendi trajneri Reja pak ditë më parë për kualifikim në Botëror?
Mund të jenë për këtë grup se është një grup fantastik, që e kemi parë edhe në ndeshje të tjera. Kështu që mendoj se do të ecim përpara, thjesht duhet të rregullojmë disa gjëra të vogla. /vipsport/