Elseid Hysaj është emri më i ri në listën e të grumbulluarve nga ana e trajnerit De Biazi për miqësoren me Gjeorgjinë. Vetëm 19 vjeç dhe tashmë ai ka mundësinë për të treguar vlerat e tij me fanellën kuqezi, ku pas paraqitjeve mjaft të mira me Empolin në Serinë B, shkodrani shihet si një nga talentet më të mëdha të futbollit shqiptar.Kështu e ka cilësuar Elseid Hysajn edhe prestigjiozja italiane “Gazzetta dello Sport”, e cila i ka kushtuar vëmendje të veçantë mbrojtësit më të ri të Kombëtares sonë. Në një shkrim të publikuar ditën e djeshme, media sportive e vendit fqinj tregon historinë se si Hysaj, falë një rastësie të bukur nisi rrugën drejt realizimit të ëndrrës së tij. Një histori që tregon recetën e suksesit, e cila veç talentit, vullnetit dhe dëshirës kërkon edhe pak fat.
Ishin prindërit e 19-vjeçarit nxitësit që ai të hynte në botën e futbollit. I ati, Gëzim Hysaj me profesion murator dhe emigrant në Itali, rastësisht u punësua nga një agjent lojtarësh i quajtur Marko Piçoli, i cili fillimisht e refuzoi kërkesën e të atit, sepse Elseidi ishte vetëm 10 vjeç dhe 4 vjet më pas, ai i telefonoi agjentit duke i kujtuar se i biri kishte mbushur 14 vjeç.
Dhe kështu djaloshi zbarkoi në Itali duke mos e ditur se 5 vjet më pas do të bashkohej me ekipin Kombëtar për ndeshjen miqësore kundër Gjeorgjisë. Ndërkohë, në radhët e Empolit në Serie B, Hysaj ka siguruar një vend fiks titullari si mbrojtës i majtë edhe pse karakteristikat e tij i shkojnë për shtat në krahun e djathtë.
“Lojtari ka një të majtë të saktë, duke e dominuar fushën me mushkëri përpara se ta bëjë me këmbë”, shkruan “Gazzetta dello Sport” që vë në dukje edhe një statistikë interesante: “Pas Nallbanit që debutoi si portier me Kombëtaren në moshën 17-vjeçare dhe “bomberit” Çeço të viteve ‘60, Hysaj do të jetë lojtari i tretë më i ri që debuton me Shqipërinë, një skuadër në rritje të vazhdueshme dhe në luftë për një vend në Botërorin 2014”.
Në vijim të shkrimit, gazeta italiane nënvizon faktin se fillimisht u bë e gjallë Fiorentina, e cila shprehu interes për të marrë shërbimet e Elseid Hysajt, por problemet burokratike e çuan lojtarin shqiptar te Empoli, ku ekipet zinxhirë janë një prej prioriteteve të shoqërisë. Një nga arsyet që 19-vjeçari rrëmben vëmendjen e mediave është edhe pozita e mirë e shqiptarëve në futbollin e vendit fqinj.
“Padyshim që idhujt e mi janë Cana dhe Tare, sepse në Itali kanë përfaqësuar denjësisht të gjithë shqiptarët. Iglin e njoh prej disa kohësh dhe herë pas here më jep këshilla”, shprehet Hysaj, i cili në fund të intervistës e pranon që ofertat janë shtuar, por ëndrra e tij është Interi, edhe pse thekson faktin që aktualisht po mendon të rritet edhe më shumë profesionalisht me skuadrën e Empolit që besoi në aftësitë e tij.

ww.shkodrasport.com

Elseid Hysaj ne grumbullimin e kombetares me kapitenin Lorik Cana