Boksi shkodran përveç triumfit të padiskutueshëm në arenën kombëtare prej 26 vitesh, po i dhuron boksit shqiptar edhe një tjetër risi. Për herë të parë në historinë e tij, një boksiere shkodrane, pikërisht Elsidita Selaj do të marrë pjesë në një turne ndërkombëtar që ka nisur sot në Sofje të Bullgarisë duke përfaqësuar kësisoj Shqipërinë në mes 21 shteteve pjesmarrëse me një total prej 140 boksieresh.
Ky është një turne shumë i rëndësishëm ballkanik por në të cilin marrin pjesë sportistë nga e gjithë bota. Këtë e vërteton më së miri edhe fakti se sipas shortit të hedhur paraditen e sotme, boksierja shkodrane Selaj do të ndeshet në turin e parë me një kundërshtare nga India dhe ndeshja do të zhvillohet më datë 20 tetor.
Ajo do të konkurrojë në peshën 81 kilogramë dhe padyshim që ndonëse nuk e njeh kundërshtaren, do të kërkojë fitoren. Kjo boksiere në fakt ka disa kohë që përgatitet nën drejtimin e trajnerit Jetmir Kuçi dhe madje gjatë ndeshjeve të kampionatit kombëtar të të rriturve që u zhvillua në Shkodër muajin e kaluar, bëri edhe një ndeshje promovuese ndaj një kundërshtareje kosovare. Selaj dhe Kuçi kanë shumë besim për një paraqitje dinjitoze në këtë turne dhe ndonëse është aktiviteti i parë ku marrin pjesë, premtojnë se do ta përfaqësojnë denjësisht Shqipërinë. Në këtë mënyrë, Shkodra edhe në një aspekt tjetër bëhet qyteti i parë që i dhuron këtij vendi një risi. Nëse deri më sot kemi folur vetëm për boksierë, tashmë kemi edhe boksiere madje që pretendojnë suksesin edhe në arenën ndërkombëtare.
www.shkodrasport.com