Boksierja shkodrane Elsidita Selaj do të jetë pjesë e delegacionit shqiptar që do të marrë pjesë në Lojërat Olimpike Rinore që do të zhvillohen në Buenos Aires të Argjentinës gjatë muajit të ardhshëm.

Këtë të drejtë ajo e ka fituar që nga pjesmarrja në Kampionatin Europian gjatë muajit prill të këtij viti. Medalja e argjentë e fituar në atë kompeticion, i dha asaj mundësinë të merrte pjesë edhe në Botëror por edhe në Lojërat Olimpike Rinore.

Padyshim që kjo do të jetë diçka shumë pozitive për Selajn sepse mbi të gjitha fiton shumë eksperiencë në të tilla aktivitete. Por jo vetëm kaq sepse 18 vjeçarja do të tentojë të bëjë edhe aty më të mirën.

Në Botërorin e muajit të kaluar ishte shumë pranë medaljes dhe natyrisht që këtë gjë do të synojë edhe në garat që do të zhvillohen në kryeqytetin argjentinas nga datat 6 deri më 18 tetor.

Selaj do të jetë pjesë e delegacionit shqiptar që do të marrë pjesë në këto Lojëra bashkë me atleten Relaksa Dauti, boksierin Muhamet Qamili, peshëngritësin Antonino Luli dhe notarin Kati Rok. Por nëse sportistët e tjerë do të marrin pjesë në këtë aktivitet me ftesa, boksierja shkodrane e ka fituar vetë këtë të drejtë me rezultatet që ka arritur.

Trajneri i saj Jetmir Kuçi gjithnjë është shprehur se kemi të bëjmë me një sportiste elitare që meriton më shumë vëmendje sepse ajo do ta nderojë sërish Shqipërinë me medalje.

Karriera e saj ka nisur në mënyrën e duhur dhe tashmë duhet të presim se çfarë do të dhurojë në Lojërat Olimpike Rinore.
www.shkodrasport.com