I rikthyer në pozicionin e tij, madje edhe me shiritin e kapitenit, për Elvin Beqirin nuk ka qenë një rikthim ashtu siç duhet. Ai dhe skuadra e tij është mundur të dielën në Laç nga skuadra vendase me rezultatin 1-2. Me këtë humbje, objektivi i Vllaznisë për të qenë në Kupat e Europës në fund të sezonit, duket disi më i largët por vetë Beqiri mendon se ende nuk ka përfunduar asgjë. Për këtë arsye, ai është shprehur:
“Më vjen keq sinqerisht që nuk arritëm në këtë takim të merrnim atë që dëshironim. E filluam në mënyrën më të mirë ndeshjen dhe nëse do të kishim shënuar në dy rastet që krijuam, jam i bindur se nuk do flisnim për humbje në këtë ndeshje por për fitore. I tillë është futbolli, pasi kur nuk shënon do ta pësosh. Dhe pikërisht kështu na ndodhi. Sa i takon objektivit, sigurisht që jo gjithçka vendoset nga një ndeshje. Sigurisht që kjo humbje ka ndikimin e vet por jo aq sa për të vulosur objektivin tonë. Ka ende shumë takime dhe pikë në lojë. Ia kemi vështirësuar vetes punën me këtë humbje por kjo nuk do të thotë se nuk duhet të luftojmë deri në fund të sezonit për të marrë pikët maksimale”.