Elvin Beqiri, mbrojtësi që ka qenë pjesë e ekipit të Khazar Lankaran në kampionatin azerbajxhanas të futbollit, pritet që sot t’u kthejë një përgjigje pozitive drejtuesve të Vllaznisë. 31- vjeçari mësohet se sot do të thotë fjalën e fundit dhe mesa duket do të jetë një përgjigje pozitive. Burime pranë klubit kuqeblu bënë të ditur për gazetën se Beqiri pritet t’i bashkohet sot grupit të lojtarëve për të vijuar përgatitjet.

Drejtuesit e klubit po tregohen të kujdesshëm që të mos shprehin asnjë fjalë më parë sesa të bëjnë realitet afrimet e lojtarëve në fjalë. Beqiri shikohet si një mundësi e mirë për sa i përket qendrës së mbrojtjes. Megjithatë, shkodranët nuk heqin dorë edhe nga malazezi Rajoviç. Mesa duket trajneri Duro kërkon që të blindojë repartin e mbrojtjes, pasi në prapavijë kanë edhe një kontingjentit të pasur edhe nga sezoni i shkuar, teksa kanë në gjirin e tyre futbollistë si Kraja, Sykaj, Smajli, por së fundmi edhe Begaj, pa përjashtuar ndonjë emër tjetër të ri që është pjesë e kësaj skuadre.
Vajushi – Një tjetër lojtar që pritet të kthejë këto ditë një përgjigje pozitive është edhe mesfushori me tipare sulmuese, Armando Vajushi. Drejtuesit e klubit me në krye drejtorin sportiv, Armir Grima, e quajnë rreth 80% të kryer rikthimin e këtij lojtari në Shkodër. Grima ka deklaruar para pak ditësh se klubi nuk është i gatshëm për të paguar vlera të tilla prej 100 mijë apo më shumë eurosh për të marrë kartonin e shkodranit, por manovrat e tyre për kthimin e Vajushit në Shkodër vijojnë të bëhen në kuadrin e një huazimi të mundshëm të këtij lojtari nga klubi i Liteksit. Nga ana tjetër mësohet se dëshira e lojtarit për të veshur fanellën e Vllaznisë është e madhe dhe, për më tepër, për të qenë në një skuadër kompetitive siç edhe i është premtuar atij.

Afrim Neziri, për provë pranë Vllaznisë
Skuadra shkodrane dje zhvilloi dy seanca stërvitore. Në seancën e pasdites pranë ekipit shkodran është parë edhe një lojtar i ri i ardhur për provë. Mësohet se lojtari në fjalë është shqiptari Afrim Neziri, i cili ka mbërritur që ditën e hënë në darkë në Shkodër nga Austria. Drejtuesit e klubit nuk dinë të tregojnë asgjë më tepër për këtë lojtar se ku ai është aktivizuar. Megjithatë, nga sa mësohet prej tyre, ai është një lojtar që luan në vijën e sulmit. Drejtuesit flasin për një lojtar me cilësi mjaft të mira në këtë sektor të fushës, pikërisht aty ku edhe Vllaznia ka më shumë mangësi. Bëhet fjalë për një lojtar me një moshë të re, afro 20-vjeçare.
ADMIR URUÇI