Kapiteni Elvin Beqiri kërkon që ekipi të mos gabojë edhe në takimin e kësaj fundjave me Bylisin. Për veteranin, skuadra i ka të gjitha mundësitë për të marrë një rezultat pozitiv ndaj ballshiotëve. Për shkodranët e trajnerit Canaj, kjo është mundësia më e mirë për t’u ngjitur në vendin e dytë në tabelën e klasifikimit. Por, për kapitenin një gjë e tillë duhet të arrihet vetëm nëse skuadra tregon atë shpirt gare dhe dëshire që ka treguar në takimin e fundit me Partizanin.

“Tani duhet të vijojmë lojërat e mira dhe rezultative, çka duhet të nisë nga kjo javë. Nuk ka vlerë nëse merr një fitore ndaj Bylisit, por vlera ka nëse arrihet që ekipi të ketë vazhdimësi. Për mendimin tim, Vllaznia do kërkojë vazhdimësinë e rezultateve të fundit. Natyrisht do të luajmë për të marrë tri pikët e radhës dhe nuk kemi pse ta fshehim se ky është objektivi ynë primar. Jam i bindur se, nëse tregojmë atë dëshirë dhe shpirt që po shfaqim në këtë sezon, do të marrim maksimumin edhe në këtë përballje të radhës para spektatorëve shkodranë”, – u shpreh kapiteni Beqiri.
Tifozëria Për Beqirin, një plus i madh në arritjen e objektivit që ka skuadra për takimin me Bylisin është fakti se në stadium do të jenë të pranishëm edhe tifozët. Kapiteni e ka quajtur si tepër pozitive këtë fakt. Drejtuesit e klubit kanë marrë një vendim për të paguar gjobën, gjë të cilën e kanë bërë realitet. Prania e tifozëve shikohet si një nga avantazhet që do të ketë Vllaznia për këtë takim. “Më vjen mirë dhe përkrah në maksimum vendimin që ka ndërmarrë presidenca për pagesën e gjobës për të bërë të mundur që ne të luajmë para tifozërisë sonë të zjarrtë. Për mendimin tim, ky do të jetë një plus për skuadrën tonë, në mënyrë që fitorja të mos diskutohet. Tani duhet që ne futbollistët e Vllaznisë ta justifikojmë këtë vendim të marrë nga ana e drejtuesve, si dhe të përligjim mbështetjen e madhe që do të na bëjë tifozeria shkodrane. Kam besim se ndaj Bylisit ata do të jenë të shumtë në ‘Loro Boriçi’”, – shton mbrojtësi Beqiri.
Bylisi “Duhet ta vlerësojmë në maksimumin Bylisin. Kemi të bëjmë me një ekip të fortë, me lojtarë cilësorë në përbërje. Përherë në Shkodër ekipi ballshiot ka treguar vlera të mira. Jo rrallë, por shpeshherë në ‘Loro Boriçi’ ballshiotët kanë marrë rezultate pozitive. Pavarësisht vendit që mban në renditje, Bylisi është një skuadër e frikshme, pasi i ka treguar vlerat që mbart edhe në përballjet me ekipet pretendente. Megjithatë, kjo nuk më tremb aspak, pasi jam i bindur se kemi forca për të marrë më të mirën në këtë sfidë”, – ka përfunduar kapiteni i Vllaznisë, Elvin Beqiri.

Admir URUÇI