Tek Vllaznia ka besim për kthimin sa më të shpejtë të situatë. E thonë këtë të gjithë, e thotë edhe kapiteni I saj Elvin Beqiri. E ka bërë këtë gjë dje para nisjes për në Ulqin ku skuadra do të zhvillojë fazën më intensive të përgatitjeve për fazën e dytë të kampionatit. Kuqeblutë kanë kaluar një periudhë jo të mirë. Faza e parë është shoqëruar me shumë polemika dhe rezultate jo shumë bindëse. Ky vit ndërkohë ka nisur ndryshe. Tek Vllaznia tashmë ka një trajner të ri dhe shumë shpejt do të ketë edhe një president të ri. Megjithatë kapiteni Beqiri nuk mendon se janë vetëm këto faktorë që vendosin për ndryshimin e situatës.
“Ndryshimet e trajnerëve, të lojtarëve apo të presidentëve janë normale në futboll. Për ne ka rëndësi që ata të ndikojnë për mirë. E rëndësishme është që ekipi të gjejë forca për të dalë nga kjo situatë sepse dihet që nuk ndodhemi në një situatë të mirë- ka thënë fillimisht numri 18 I kuqebluve. Ai është rikthyer këtë sezon sërish në Shkodër dhe falë përvojës së tij të madhe në arenën kombëtare por edhe atë ndërkombëtare, gjithashtu edhe karrierës me ekipin kombëtar, atij I është besuar shiriti I kapitenit. Një përgjegjësi më shumë për të. Ai bashkë me shokët e tjerë të skuadrës e ka mirëpritur ardhjen e trajnerit të ri Artan Bushati dhe ka premtuar seriozitet maksimal në çdo seancë stërvitore. “Unë shpresoj që afrimi I trajnerit të ri të jetë positiv për ekipin por kjo nuk është gjithçka. Duhet një punë e madhe e të gjithëve, e stafit, e futbollistëve që të realizojmë atë objektiv që na ka mbetur në kampionat”. Puna ka ditë që ka filluar në fakt. Me trajnerin e ri ajo ka marrë një tjetër kurs tjetër. Objektivi I kësaj skuadre do jetë I qartë në fazën e dytë, zënien e një vendi në katërshen e ekipeve më të mira. Këtë e thotë vetë Beqiri në prononcimin e tij për “Sporti Shqiptar” teksa në fund të prononcimit të tij do të theksonte: “Ne shpresojmë në një paraqitje krejt ndryshe në fazën e dytë. Tani jemi në fazë përgatitore, po punojmë fort që të jemi në fund të kampionatit në katër ekipet më të mira të Shqipërisë. Kjo gjithsesi do shihet në fushë sesa do arrihet. Për momentin jemi të përqendruar tek stërvitja, tek përgatitja e ekipit për ndeshjet e ardhshme”.
www.shkodrasport.com