Vëmendja siç dihet në këto momente për Vllazninë është përqendruar tek ndeshja e rradhës, ajo që do luhet të dielën në Berat ndaj Tomorit. Kapiteni Elvin Beqiri në konferencën e sotme për shtyp e ka vlerësuar shumë kundërshtarin e rradhës pavarësisht se ai ndodhet në vendin e fundit të tabelës së renditjes. Mbrojtësi i qendrës i kësaj skuadre ka folur edhe për këtë repart por edhe për sulmin duke marrë në mbrojtje lojtarët e këtij reparti për mosshënimin e golave. Ja prononcimi i plotë i Beqirit sot për gazetarët:
-Beqiri, 6 jave kampionat dhe Vllaznia duket se ndodhet në pozita komode në renditje. A keni edhe ju të njëjtin mendim?
-Mendoj se po sepse kemi marrë rezultatet e duhura në dy takimet e fundit dhe mendoj që do të vazhdojmë kështu dhe kjo është më e rëndësishmja, pavarësisht se kampionatit nuk i dihet. Por ne do të mundohemi të kemi vazhdimësi sa më të mirë në rezultate.
-Nga kritikat për repartin e mbrojtjes në ndeshjen e parë, duket se në 5 ndeshjet e fundit diçka është përmirësuar tek ky repart apo jo?
-Unë e kam theksuar edhe pas ndeshjes me Skënderbeun se ajo ishte thjesht një aksident. I korrigjuam shumë shpejt ato gabime që bëmë në atë ndeshje dhe besoj se gjërat tani janë në rregull. Them se jemi mirë si repart dhe shpresojmë të vazhdojmë edhe ndeshjet e tjera që të kemi stabilitet për t’i dhënë siguri skuadrës.
-Jane rregulluar gjërat në mbrojtje, ndërsa në sulm duket se ka probleme me sulmuesit të cilët nuk po dalin akoma tek goli…
-Mendoj se nuk duhet t’i kritikojmë sepse kështu e ka kampionati, mund të kesh oshilacione si reparte. Por nuk duhet t’i vëmë faj vetëm sulmuesve për momentin. Në qoftë se në ekip nuk shënohet goli, është faji i të gjithë ekipit ose nëse shënohen pak gola, nuk është faji i vetëm sulmuesit por është faji i të gjithë ekipit. Ashtu siç ndodh e kundërta, kur pësohen gola nuk ka faj vetëm mbrojtja, por ka faj gjithë ekipi. Në këtë aspekt nuk duhet t’ia lëmë fajin vetëm sulmuesve po shënojnë apo nuk shënojnë, kryesorja është që ekipi po merr rezultate, kjo është primare.
-Në Berat të dielën duket se do të ketë mungesa, Vujadinovic ndoshta dhe Dragoi. A ndikojnë këto mungesa tek skuadra?
-Ne shpresojmë të mos i kemi këto mungesa sepse me informacionin që kam, të dy këta lojtarë mund të jenë ditën e dielë në fushë kundër ekipit të Tomorit në fushë. Por shpresojmë, shpresojmë, lajmet janë të mira për të dy. Gjithsesi, edhe në qoftë se këto dy lojtarë që janë shume të rëndësishëm për ne, do të mungojnë, kemi lojtarë të tjerë që t’i zëvendësojnë dhe besoj se edhe ata jane gati të japin maksimumin, më të mirën për ekipin.
-Në Berat e konsiderojnë ndeshjen më të rëndësishme dhe të fundit të shpresës ndoshta për ta. Vllaznia nga ana e saj, është e përgatitur për të marrë fitoren e tretë rradhazi?
-Një ekip i mirë, duhet të ketë vazhdimësi. Po nuk pati vazhdimësi, edhe ne dalim nga objektivat. Ndeshja me Tomorin dihet që është ndeshje e rëndësishme. Shpresojmë që të marrim rezultat pozitiv. Nuk do të jetë e lehtë sepse pavarësisht pozitës që ka skuadra e Beratit që është në vend të fundit, kjo nuk do të thotë asgjë sepse i mori barazimin ekipit kampion- Skënderbeut. Por shpresojmë që me ne, të mos ndodhë e njëjta gjë, të mos kemi rezultat negativ.
-Vllaznia tashmë është si pretendente. Për Beqirin, kush janë ekipet e tjera pretendente për titull këtë sezon?
-Mendoj se janë ato ekipe që kanë qenë gjithmonë. Sigurisht Skënderbeu, Tirana, Besa besoj se do të jetë rivale e denjë sepse po e tregon këtë gjë. Edhe Flamurtari mendoj se do të ringrihet sepse këto nuk janë rezultatet e tij që po shfaq sepse ka një ekip shumë të mirë. Mendoj se këto do të jenë ekipet që do të na rivalizojnë gjithë kampionatin.
www.shkodrasport.com