Speciale

Nga Senad NIKSHIQI

Do ta niste lojën e bukur të futbollit që para 12 vitesh, teksa do të aktivizohej me skuadrën e Vllaznisë. Shumë shpejt u bë ndër të preferuarit e trajnerëve duke fituar vendin e titullarit në qendrën e mbrojtjes tek kuqeblutë. Menjëherë do binte në sy për sigurinë që jepte në prapavijë, qetësinë në fushën e lojës duke e zhvilluar kështu më tej pasionin për futbollin. Si i tillë nuk do vononte shumë për tu grumbulluar edhe në Kombëtaren e Shqipërisë duke qenë një nga futbollistët kryesor të skuadrës. Shkodranin Elvin Beqiri e mbajmë mend të gjithë në ndeshjen e mrekullueshme përballë Rusisë në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës. Ai në atë ndeshje do shkëlqentë me lojën e tij në mbrojtje. Performanca e tij dhe dëshira e futbollistëve të atëhershëm të përfaqësueses do bënte që në tempullin e Shkodrës të korrej një nga fitoret që edhe sot vijon të jetë ndër më të rëndësishmet për Shqipërinë. Për herë të parë është aktivizuar me Vllazninë në vitin 1999 për të luajtur me këtë skuadër deri në sezonin 2003. Në atë periudhë Beqiri luajti 83 ndeshje duke shënuar 6 gola. Në vitin 2003 do të largohej drejt Ukrainës për tu aktivizuar fillimisht me Metalurh Donetsk nga ku luajti deri në vitin 2005 duke u aktivizuar në 49 ndeshje. Nga aty provon një eksperiencë të shkurtër me Alania Vladikavkaz nga ku luan vetëm 7 takime. Sezoni 2005-2006 e gjen tek Maçabi Tel Aviv, skuadër me të cilën aktivizohet në 14 ndeshje. Për dy sezone rikthehet tek Metalurh Donetsk nga ku luan 11 ndeshje. Për dy sezone rikthehet në qytetin e lindjes për të luajtur me skuadrën e zemrës, Vllazninë teksa aktivozhet për 48 takime dhe shënon 5 gola. Në vitin 2010 i jep sërish lamtumirën Vllaznisë sepse bëhet pjesë e ekipit të Khazar Lankaran në Azerbajxhan teksa në sezonin e parë aty luan 40 ndeshje dhe shënon edhe 4 gola. Dy sezonet e fundit është aktivizuar aty duke luajtur rregullisht, ndërkohë që tashmë ka vitin e tretë me këtë ekip. Këtë sezon skuadra e mbrojtësit shkodran në 6 javë kampionat ka arritur 2 fitore, 3 barazime dhe 1 humbje duke mbajtur vendin e 6-të me 9 pikë, vetëm 3 pikë larg vendit të parë. Beqiri për 8 vite ka qenë pjesë e Kombëtares së Shqipërisë. Për herë të parë vesh fanellën e Kombëtares në vitin 2002 ndërkohë që nga viti 2009 nuk është më pjesë e përfaqësueses. Me Kombëtaren shkodrani është aktivizuar për 47 ndeshje. Sezonin më të mirë me kuqezinjte ka 2003 ku ka luajtur 10 takime Ndërkombëtare. Beqiri vazhdon të mbetet një nga të preferuarit e tifozëve të Vllaznisë po ashtu edhe të Kombëtares. Shpesh emri i tij përmendet si një mundësi e mirë në qënder të mbrojtjes qoftë te Vllaznia por edhe në ekipin përfaqësues. Për të mësuar më shumë rreth dy viteve të Beqirit në Azerbajxhan gazeta online www.shkodrasport.com, ka realizuar një intervistë rreth aktivizimit të tij atje.

U bë një kohë relativisht e gjatë jashtë Shqipërisë, si shkojnë punët për ju?

Po. është e vërtetë. Më janë bërë 2 vite këtu në Azerbajxhan dhe ky është viti i 3-të. Në përgjithësi punët më kanë shkuar mirë deri tani.

Si ndjeheni në Azerbajxhan?

Ndihem mirë. Jam ambjentuar thuajse plotësisht dhe nuk kam probleme. Njerëzit këtu janë të qetë dhe gjithçka rreth meje shkon përsëmbari.

Jeni i kënaqur me ekipin ku luani?

Deri në njëfarë mase po. Por kemi patur mundësi edhe për më shumë. Që nga ardhja ime këtu kam fituar vetëm 1 Kupë të Azerbajxhanit. Më vjen keq që kampionatin akoma se kam fituar, pavarësisht se jemi afruar shumë vjet dhe para dy viteve. Shpresoj ta fitojmë këtë sezon sepse them se i kemi mundësitë.

Ju ngroh më shumë Azerbajxhani se Shqipëria (nga ana sportive) ?

Nuk mund të bëj të tilla ndarje për faktin e thjeshtë se në Shqipëri jam lindur, jam rritur, kam luajtur futboll atje dhe patjetër që kam patur ngrohtësinë e duhur, por edhe këtu ndjehem njësoj, ashtu si në Shqipëri.

Si do ta cilësonit nivelin e futbollit atje, është vështirë të luash në Azerbajxhan, ka diçka më shumë se kampionati shqiptar?

Vitet e fundit futbolli këtu ka bërë një progres të madh. Ka ekipe shumë të mira dhe lojtarë shumë të mirë e të talentuar. Po ashtu edhe të huajt që kanë ardhur (që janë të shumtë këtu) e kanë rritur shumë nivelin dhe cilësinë. Korrektesa financiare për një futbollist profesionist luan një rol të rëndësishëm në ecurinë e ekipit dhe të nivelit të futbollit. Në këtë aspekt këtu pothuajse të gjitha ekipet e kanë, kurse në Shqipëri pak ekipe e zbatojnë. Pa përmendur kushtet stërvitore që janë edhe ato më të mira se në Shqipëri.

Jashtë fushës së blertë, si e kaloni kohën e lirë?

Me familjen time e kaloj shumicën e kohës së lirë, gruan dhe dy fëmijët. Po ashtu edhe me shqiptarët e tjerë që luajnë këtu: Teli, Agolli, Bulku, Nexhipi e Limani. Takohemi shpesh dhe ndajmë çaste të bukura.

Është vështirë të jetosh në Azerbajxhan?

Mendoj që jo sepse njerëzit këtu janë shumë të dashur dhe të respektueshëm, gjë e cila më ngjan me shqiptarët.

I ndiqni zhvillimet sportive (futboll) në Shqipëri ?

Po, patjetër. I ndjek vazhdimisht dhe interesohem gjithmonë se çfarë ndodh atje.

Futbolli shqiptar në tërësi po përparon, ka ngecur apo po bën hapa prapa?

Nuk më duket që ka përparuar mendoj. Përkundrazi, ka ngelur në vend për të mos thënë që ka bërë edhe hapa prapa.

Çfarë ka për të rregulluar në futbollin shqiptar?

Dhuna besoj që është problemi kryesor në futbollin shqiptar, pastaj dhe Presidentet e klubeve (disa) përzihen shumë në anën teknike të ekipit. Ka dhe probleme të tjera që duhen përmirësuar por mendoj që këto 2-ja që përmenda janë me kryesoret.

Ka kohë që nuk e shohim Beqirin në Kombëtare, si do ta komentonit?

Më është bërë shumë kjo pyetje edhe nga gazetarë të tjerë por nuk është në dorën time grumbullimi në Kombëtare. Atë e vendos stafi i Kombëtares. Kuptohet që më vjen keq por e thashë që nuk është në dorën time.

Keni ende për të dhënë për Kombëtaren?

Përderisa luaj rregullisht me ekipin këtu në Azerbajxhan sigurisht që kam ende forca të kontribuoj akoma per Kombëtaren.

Po Vllazninë, interesoheni vazhdimisht për të ditur çfarë ndodh në Shkodër?

Sigurisht që interesohem pothuajse çdo ditë. Kur ndezi lap-topin dhe navigoj në internet, faqja e parë që shikoj është shkodrasport.com për faktin e thjeshtë se në veçanti ne që jemi larg Shkodrës na informon mbi gjithçka që ndodh jo vetëm me Vllazninë e futbollit por edhe sportet e sportistët e tjerë të Shkodrës. është diçka shumë e mirë dhe shumë e vlefshme jo vetëm për ne por për të gjithë shkodranët e shqiptarët kudo që ndodhen.

Si ju duket Vllaznia e këtij sezoni?

Mendoj që nuk ka patur një ecuri të kënaqshme deri tani siç jemi mësuar ta shikojmë Vllazninë. Këtu për shkak edhe të ndërrimit të herpashershëm të trajnerave sepse nuk është e lehtë për ekipin dhe trajnerët gjithashtu. Shpresoj shumë te puna e trajnerit Vata dhe e stafit të tij që ta çojnë sa më parë Vllazninë tek ato nivele që i takon për të qenë.

Janë ndërruar trajnerë, kanë ikur lojtarë cilësor, i bëjnë mirë apo e dëmtojnë Vllazninë?

E thashë që për lojtarët është shumë e vështirë kur trajnerët ndërrohen shpesh sidomos gjatë kampionatit sepse çdo trajner ka idetë e tija. Po ashtu edhe për trajnerin është e vështirë të punojë kur nuk e di se cilët lojtarë do qëndrojnë dhe cilët do të ikin. Megjithatë unë kam besim tek stafi dhe tek lojtarët se shumë shpejt do të vijnë rezultate pozitive dhe i uroj sa më shumë fitore në ndeshjet e ardhshme.

Në Shkodër emri juaj përmendet akoma, pikërisht qendra e mbrojtjes është ndër më problematiket, mund ta shohim sërish Beqirin me fanellën e Vllaznisë?

Mendoj që çdo futbollist shkodran është borxhli atij ekipi sepse ai na bëri lojtarë. Një ditë do kthehemi kuptohet por për momentin po përqendrohem të realizoj objektivat e klubit ku po aktivizohem Khazar Lenkeran që janë fitimi i Kampionatit dhe Kupës.

Keni kontakte me drejtuesit, trajnerët apo futbollistët aktual të Vllaznisë nëse po cilët janë ata dhe ku përqendrohen bisedat mes jush?

Kontakte kam por jo profesionale ato janë thjeshtë miqësore sepse kam shumë miq në stafin dhe lojtarët e Vllaznisë të cilët i respektoj për gjithçka të mirë që mundohen të bëjnë për Shkodrën e po ashtu edhe për ngrohtësinë që më kanë dhënë kur unë kam luajtur me Vllazninë. Bisedat janë nga më të ndryshmet, nganjëherë flasim edhe për futbollin.

Keni një mesazh për futbollin shqiptar e Vllazinë në veçanti?

Sa më pak dhunë dhe sa më shumë futboll. Për të gjithë tek Vllaznia do të dëshiroja që secili të bënte maksimumin e mundshëm në mënyrë që shumë shpejt Shkodra të ketë atë skuadrën pretendente për fitimin e trofeve.

Çfarë keni për të thënë për ata që ju duan sërish qoftë në Kombëtare po ashtu edhe tek Vllaznia?

I falenderoj dhe i jam shumë mirënjohës ndaj të gjithë atyre që më duan dhe që besojnë ende tek unë. Shpresoj t’i falenderoj jo vetëm me fjalë por edhe me vepra, pra paraqitjet e mia në fushën e lojës.

www.shkodrasport.com