Kapiteni i Vllaznisë, Elvin Beqiri, i përket plejadës së shquar të futbollistëve modernë të Shkodrës. Ish-mbrojtësi i Kombëtares, 47 ndeshje, ka veshur fanellat e gjashtë ekipeve në pesë vende të ndryshme, por ajo që e bën edhe më interesante karrierën e tij 13-vjeçare është fakti se ka luajtur në Ukrainë, Rusi, Izrael dhe Azerbajxhan. Beqiri, i cili  ka mbushur 32 vjeç më 27 shtator te vitit te kaluar, rrëfen për gazetën “Telegraf” eksperiencën e tij ndërkombëtare, stacionet e karrierës së tij me Maturg Dontesk dhe Arsenalin e Kievit në Ukainë; Alania Vladikavkazin në Rusi; Makabi-Tel Avivin në Izrael dhe Khazar Lankaranin në Azerbajxhan. Elvini flet për traditat sportive, vështirësitë e gjuhës, por dhe kulturën e pasur të atyre vendeve, ku një përshtypje të veçantë i ka bërë Izraeli dhe kryeqyteti i tij, Tel Avivi.

– Përshendëtje Elvin, jeni kapiteni i Vllaznisë në këtë sezon, ekipi dhe ku jeni formuar si futbollist, nga ku nisi edhe startoi edhe eksperienca juaj ndërkombëtare. Pas katër sezonesh në “Loro Boriçi” (1999-2003) u transferuat në Ukrainë, te Metalurg Dontesk, me të cilët luajtët dy sezone. Si mbërritët atje?
– Vllaznia është një nga ekipet më të rëndësishme në kampionatin shqiptar dhe që dallohet vazhdimisht për lojtarët e shumtë që kanë pasur fatin të luajnë jashtë. Ka një traditë të mirë në këtë drejtim. Në fakt, pas një periudhë të mirë si lojtar i Vllaznisë, ku dhe vesha fanellën e Kombëtares në atë kohë, në merkaton e vitit 2003, menaxheri i njohur Elver Raca, si dhe agjenti tjetër, Edmond Haxhiaj, më kontaktuan për të nënshkruar me Metalurgun e Dontesktu, në Ukrainë. Në të vërtetë, në atë kohë kisha dhe oferta të tjera, por propozimi i klubit ukraians m’u duk më seriozi, dhe në të tilla kushte unë pranova të të nënshkruaja për të.
– Nga Shqipëria në Ukrainë. Dy realitete krejt të ndryshme, si në aspektin futbollistik, ashtu dhe në atë social. A patët vështirësi në ambientimin me skuadrën e re?
-Është krejt e natyrshme që, do të hasja vështirësim, dhe për këtë isha i vetëdijshëm Por, duke qenë se isha 23 vjeç, pra kisha një eksperiencë të mjaftueshme si futbollist, për më tepër kisha luajtur disa ndeshje ndërkombëtare, kjo më ndihmoi të përshtatesha shumë shpejt. Në skuadrën e Metalurg Donteskut kishte disa futbollistë të huaj, dhe shumica e tyre ishin nga Ballkani, çka më ndihmoi në këtë rast. Mosditja e gjuhës ukrainase, ma vështirësoi jo pak në fillim në përgjithësi jetën e
përditshme, pasi në stërvitje apo gjatë lojës në këtë drejtim gjërat ishin më të kuptueshme. Futbolli në Ukrainë ishte i ndryshëm nga ai shqiptar, jo vetëm në aspektin e cilësisë më të lartë, por ishte më shumë fizik, me një fjalë më i egër se ai në vendin tonë. Kam punuar shumë fort, jo vetëm nga pikëpamja sportive, por dhe për të mësuar gjuhën sa më shpejt. Metalurg Dontesk është një klub i njohur në Ukrainë, dhe derbin me Shahktar Donetskun, ishte një nga më të bujshmit, kjo dhe nga ana mediatike.
– Nga Shkodra në Dontesk, si mund ta përshkruash qytetin tënd të ri?
– Përsa i përket qytetit të Donteskut, ai është rreth 1 milion banorë dhe është qyteti i pestë më i madh në Ukrainë. Dontesku njihet ndryshe edhe si “qyteti i 1 milionë trëndafilave”, por dhe një numri të madh muzesh. Dallohet për industrinë e rëndë dhe minierat e qymyrit. Për mua mbetet një qytet shumë i dashur. Kur shkova për herë të dytë te Metalurgu (2006-2008), nga emri i mirë që kisha krijuar, por dhe njohja e gjuhës ukrainase, më dukej vetja si në Shkodër. Në fakt, problemet e mia te Metalurgu erdhën si pasojë e dëmtimeve, kështu që në vitin 2008 u ktheva te Vllaznia ku qëndrova deri në vitin 2010.
– Pas angazhimit me Metalurgun e Donteskut, erdhi transferimi në Rusi, tek Alania Vladikavkaz. Në faqen e klubit në Wikipedia jeni përfshirë midis futbollistëve të famshëm që keni luajtur me atë klub…
– Me Alania Vladikavkazin u bashkova gjatë verës së vitit 2005. Atje sapo kishte filluar faza e dytë kampionatit, pasi në Rusi, sezoni fillon në muajin mars. Në fakt, gjërat për skuadrën nuk shkua mirë, pasi ekipi ra një kategori më poshtë. Gjithsesi, ishte një eksperiencë më shumë, të cilën personalisht do ta konsideroja të mirë. Vladikavkazi ishte një qytet më i madh se Shkodra, por më i vogël se Dontesku dhe ndodhej në Jug të Rusisë, dhe tepër i zhvilluar. Më duhet ta theksoj, edhe aty
vështirësitë e gjuhës, më kufizonin disi në përshtatjen e plotë me jetën e përditshme, por nga ana futbollistike e pata më të lehtë.
-Stacioni ndërkombëtar i radhës i përket Izraelit, te Makabi Tel Aviv. Si ndodhi?
-Për lojtarët është një gjë e zakonshme transferimi nga një skuadër në tjetrën, pavarësisht vendit se ku ai do të luajë. Pas Ukrainës dhe Rusisë, tashmë më duhet të luaja në Izrael, një vend krejtësisht tjetër përsa i përket klimës, sidomos në raport me të ftohtit rus apo ukrainas. Makabi Tel Aviv është një nga emrat më të njohur të futbollit izraelit, kjo edhe për faktin se ka luajtur në Ligën e Kampioneve, por dhe një nga më të vjetrit në vend dhe me 18 kampionate të fituara dhe klubi me më
shumë trofe në vend. Gjithsesi, unë shkova në huazim nga Alania Vladikavkaz, pasi nuk dëshiroja të luaja në kategorinë e dyte ruse. Te Makabi luajta vetëm fazën e dytë. Ishte një kampionat ndryshe nga ai rus, por dhe ukrainas. Ishte me teknik. Personalisht isha i kënaqur tek Makabi, dhe dëshiroja të vazhdoja të luaja, pro klubi izraelit atë vit pati probleme dhe shumë lojtarë u larguan, një ndër ta isha dhe unë.
– Si ishte jeta në Izrael për një futbollist?
– Unë nuk isha futbollisti i parë shqiptar që luaja në Izrael, pasi më parë ishte aktivizuar Adrian Aliaj, me Makabi Petah Tikvën, një qyteti shumë afër me Tel Avivin. Unë kam jetuar në Tel Aviv, një qytet shumë i bukur, dhe që për më tepër kishte shumë qetësi, ndryshe nga pjesa jugore e Izralit. Përsa i përket standardit të jetesës, ishte më i lartë dhe sigurisht më i shtrenjtë se në Shqipëri.
– Pas gjuhës ukrainase dhe ruse, të duhet të përballeshe me atë izraelite dhe me kulturën atij vendi. A arrite të mësoje paksa gjuhën?
– Në fakt, unë qëndrova shumë pak muaj në Izrael, por gjithsesi, fjalët bazë të komunikimit të përditshëm i mësova. Jeta të detyron ta bësh, pavarësisht se në Izrael mund të merreshe vesh shumë lehtë anglisht. Përsa i përket jetës në qytet, ajo ishte më të vërtetë e bukur. Kishe çfarë të vizitoje. Tel Avivi është qyteti i sinagogave, por dhe i muzeve të shumtë. Është një qytet modern dhe vazhdimisht po ngrihen ndërtesa të larta. Tel Avivi është një qytet biznesesh të shumta dhe ka shumë kompani të mëdha, sidomos ato të teknologjisë. E kam shijuar shumë qëndrimin në Izrael, dhe nuk mund të lija kurrsesi as vizitën në tempullin e njohur “Uestern Uoll”, në Jeruzalemin e Vjetër, një mur i ndërtuar me gurë të mëdhenj e që vizitohet çdo ditë nga mijëra njerëz të cilët luten aty.
– Sërish në Ukrainë, te Metalurg Dontesk, disa muaj me Arsenalin e Kievit, dhe më pas te Vllaznia, por të qëndruar jo shumë gjatë në Shkodër. Pas Ukrainës, Rusisë dhe Izraelit i erdhi radha Azerbajaxhanit. Duhet të kesh kujtime të bukura?
– Angazhimin me Khazar Lankaranin, për të cilin luajta dy sezone, 2010-2011 dhe 2011-2012, e vlerësoj si në aspektin futbollistik, ashtu dhe atë shoqëror. Azerbajxhani, nga njerëzit ngjan me Shqipërinë. Azerët janë shumë të dashur. Të ndihmojnë në çdo moment, nëse ke nevojë për diçka. Janë shumë socialë si tipa. Unë e kam pasur shtëpinë në Baku, në kryeqytetin e Azerbajxhajnit, pavarësisht se skuadra e Khazarit i përkiste Lankaranit. Baku është një qytet pranë Detit Kaspik, afërsisht dy milionë banorë dhe do të bëhet edhe më i bukur, pasi është në ndërtim e sipër. Kam kaluar me të vërtetë momente të bukura në Azerbajxhan. Në këtë vend tani luajnë Admir Teli dhe Ansi Agolli.
– Ukrainë, Rusi, Izral dhe Azerbajxhan. Cili ka nga vendet të ka pëlqyer më shumë?
-Izraeli. Gjithsesi, prej të gjitha vendeve kam kujtime të bukura.

Dash Frasheri