U bënë shumë vite që Vllaznia po vuan në kampionatin shqiptar, duke pasur oshilacione të shumta, madje në ndonjë rast, siç ishte ai i vjetshmi, ka shpëtuar në fund prej rënies nga kategoria. Elvin Beqiri, një nga ata që kanë përjetuar momente të arta me fanellën kuqeblu, duke shkuar edhe në Kombëtare prej saj. Ish-mbrojtësi i skuadrës kuqeblu, si shumë ish-futbollistë shkodranë, thekson në një intervistë për “VIP SPORT” se vetëm privati mund ta rilindë Vllazninë, ndaj dhe bashkia duhet të gjejë një orë e më parë mënyrën për t’ia kaluar biznesit, pasi e ka të pamundur ta menaxhojë vetë.
Elvin, u bënë disa sezone që Vllaznia po vuan në futbollin tonë, ashtu si dhe tani. Si e shihni këtë gjendje?
Po, e vërtet është dhe gjithmonë duhet të themi atë që e kemi thënë dhe stërthënë: Vllaznia duhet të kalojë në dorë të privatit. Për sa kohë skuadra do të varet nga bashkia, këtë Vllazni do të shohim.
Por realisht shpenzimet janë bërë te Vllaznia, edhe pse është skuadër e administruar nga bashkia…
Janë bërë vërtet shpenzime dhe janë të konsiderueshme. Janë bërë shpenzime për të pasur një ekip mesatar, as pretendent, por edhe as për të rrezikuar rënien. Ajo që është shumë e rëndësishme në këtë histori ka të bëjë me menaxhimin e skuadrës. Bashkia, përfaqësuesit e saj, nuk kanë kohë që të merren çdo ditë me futbollin, pasi kanë punë të tjera. Një klub, aq më tepër një si Vllaznia, kërkon shumë impenjim dhe shumë kohë. Nëse do ta ketë privati, do të merret çdo ditë me të.
Në fakt ka pasur përpjekje për ta kaluar Vllazninë te privati, por ka edhe përvoja të hidhura si ajo me kompaninë zvicerane. Mos ndoshta është e rrezikshme të lëshoh Vllazninë kaq lehtë te privati?
Kur them te privati, e kam fjalën për njerëz seriozë. Ndoshta të huajt janë pak me rrezik, por duhet thënë se ka njerëz, të cilët mund ta rilindin Vllazninë, nëse e administrojnë vetë.
Po skuadra, sa përgjegjësi ka për këtë ecuri, pasi janë marrë lojtarë me përvojë në merkaton e verës. A mund të bënin më shumë?
Patjetër që mund të bënin më shumë. Janë marrë lojtarë me emër, me përvojë, të cilët kanë pasur rendiment më të mirë në skuadrat e tjera, kurse te Vllaznia jo. I rikthehem asaj çështjes së kalimit të Vllaznisë te privati, sepse edhe futbollistët, pa dëshirën e tyre, duke dëgjuar çdo ditë këtë histori dhe duke parë situatën, bien edhe ata në pesimizëm. Nëse Vllazninë do ta menaxhonte privati, drejtuesit e saj do të ishin përditë me skuadrën dhe futbollistët do të ishin me moral më të lartë, më të motivuar.
Po për largimin e tifozëve nga stadiumi “Loro Boriçi”, çfarë do të thoshit?
Edhe për tifozët është e njëjta gjë. Ata e sbohin skuadrën përditë dhe kanë rënë edhe ata pesimizëm. Janë të ndërgjgjshëm për situatën, e dinë se kështu do të jetë. Nuk kanë shpresë se kjo Vllazni do t’u përgjigjet kërkesave të tyre. Tifozi shkodran është pak i veçantë dhe, siç është larguar, ashtu edhe mund të afrohet menjëherë, nëse skuadra e bind me lojën e saj. Shumë skuadra të tjera çfarë nuk bëjnë që të kenë sa më shumë tifozë, paguajnë madje shumë që t’i kenë tifozët në stadium. Vllaznia ka luksin të ketë një numër të madh tifozësh, por rezultatet e saj i mbajnë larg stadiumit. Tifozët e qytetit të Shkodrës janë kështu, është specifike e tyre.
Çfarë duhet të bëjë skuadra në merkaton e dimrit, të paktën të ketë rezultate më të mira?
Them se duhet të përforcojë mbrojtjen dhe sulmin. Më shumë mungon sulmuesi kryesor, pasi në Shgkodër gjithmonë janë mësuar të shohin gola dhe sulmues me nivel. Por duhet edhe një mbrojtës i mirë, pasi në qendër po sakrifikohet Orelsi, i cili mund të japë më shumë në mesfushë. Porta dhe mesfusha më duken mirë.
Po bashkia çfarë duhet të bëjë?
Ta kalojë një orë e më parë Vllazninë te privati. Duhet të gjejë mënyrat që ky proces të bëhet sa më shpejt, sepse në të kundërt do të vazhdojmë të shohim të njëjtën Vllazni, të njëjtin futboll në Shkodër. Dhe është gjynah…