Ish-kapiteni i Vllaznisë, Elvin Beqiri, ka analizuar së fundmi për “Panorama Sport” ecurinë e kuqebluve në periudhën e fundit.Nga Kanadaja në intervistën e dhënë për gazetën, ishmbrojtësi edhe i kombëtares shqiptare shprehet se humbja e fundit ndaj Bylisit mund të ndikojë jo vetëm nga ana sportive, por edhe nga ajo psikologjike te skuadra. Ndërsa ende besoj se shkodranët janë të aftë për të fituar trofe në fund të sezonit, pavarësisht luhatjeve.

Si e gjykoni këtë humbje të fundit të Vllaznisë ndaj Bylis?

Është një humbje, që për mua lë një shijë shumë të “hidhur” dhe nuk duhej të ndodhte në këto momente. Sepse kampionati është në javët finale dhe unë e shikoj se mund të ndikojë shumë edhe te futbollistët dhe klubi në aspektin psikologjik. Dhe jo vetëm në atë sportiv ku tashmë bëhet edhe më e vështirë renditja në dy vendet e para në klasifikim.

Do jenë përcaktuese për sezonin duelet me Dinamon në kampionat dhe kupë?

Mendoj se po, sidomos ajo e kampionatit, sepse Vllaznia duhet medoemos të synojë vendin e dytë për vetë avantazhin që të jep ai pozicion në fund. Skuadra është në garë për të dy trofetë dhe kanë ngelur edhe pak ndeshje deri në fund, prandaj ekipi t’i japë me “gazin në fund”, pasi gjithçka është e mundur dhe çdo kundërshtar i kalueshëm.