Pak ditë pushimi në Kanada I kanë bërë mirë. Pikërisht në pritje të nisjes së stërvitjeve për sezonin e ri. Elvin Beqiri, mborjtësi I Vllaznisë është kthyer tashmë në Shkodër dhe pavarësisht moshës së tij, është më I rregullti në stërvitje teksa çdo pasdite bashkë me 2-3 shokë të tij, është në pistën e stadiumit “Loro Boriçi” duke vrapuar dhe djersitur. E bën ai që është 33 vjeç dhe ndoshta nuk e bëjnë disa futbollistë të rinj që kanë nevojë të rriten nga ana profesionale. Megjithatë, Beqiri është një profesionist I vërtetë. E ka bërë të tillë përvoja me kombëtaren shqiptare, e ka bërë karriera me Vllazninë, në Ukrainë, Izrael, Rusi dhe Azerbajxhan. Mbrojtësi shkodran për momentin nuk e ka shumë mendjen tek merkatoja. Ka edhe një sezon kontratë me kuqeblutë dhe e ka “mendjen të fjetur”.
E thotë edhe vetë këtë gjë, megjithatë në prononcimin e tij shpreh një shqetësim kur thotë: “Kontrata ime me Vllazninë është edhe për sezonin e ardhshëm dhe në këtë kuptim jam I qetë sa I takon të ardhmes. Megjithatë, ajo që më shqetëson mua është kjo periudha e pushimit. Për momentin ka pak lëvizje në skuadër dhe ende nuk dihet se cilët futbollistë do jenë në skuadër për sezonin e ardhshëm. Kuptohet që këto gjëra duhen zgjidhur sa më shpejt sepse në fillim të korrikut duhet të nisë stërvitja dhe skuadra duhet të jetë e plotë në atë moment. Mos të harrojmë se kampionati I ardhshëm nis më herët sivjet, në gjysëm të gushtit dhe do jetë më I vështirë se ai që lamë pas sepse do jetë me 12 skuadra dhe do bien 4 nga kategoria. Prandaj drejtuesit duhet të shpejtojnë në mbylljen e marrëveshjeve me futbollistët”. Apeli I tij është I qartë nisur nga pretendimet që do ketë skuadra sepse në Shkodër duan të gjithë një Vllazni pretendent. Vetë Beqiri ndërkohë po punon intensivisht për të nxjerrë një tjetër sezon të mirë me kuqeblutë. Në sezonin e kaluar, forma e tij mund të ketë patur edhe ndonjë luhatje, shoqëruar kjo edhe me ato të skuadrës, megjithatë kapiteni ka qenë në fushë në 22 ndeshje, ose thënë më mirë, është aktivizuar në 1789’. Dikush mund të mendojë se ai po mendon tërheqjen nga futbolli I luajtur, pavarësisht se ka fillur një kurs për t’u liçensuar si trajner, megjithatë vetë Beqiri nuk mendon kështu. Ai në shtator mbush 33 vjeç dhe ka ndër mend të vazhdojë. Se deri kur, kjo nuk dihet.
Kombëtarja. Ai për gati 9 vjet ka qenë pjesë e rëndësishme e kombëtares kuqezi. Gjithnjë I pranishëm duke dhënë kontributin e tij maksimal por edhe tani që është larguar prej saj, sigurisht që ndjek me shumë vëmendje çdo takim të saj. Megjithatë, kur flasim për barazimin me Norvegjinë, ai shpreh keqardhjen e tij për atë gol të pësuar dhe dy pikët e lëna nga kuqezinjtë tanë. Megjithatë, ish- mbrojtësi I djathtë I përfaqësueses sonë, duke iu referuar kësaj ndeshje, mbase “shigjeton” pak edhe trajnerin De Biazi për zëvendësimin e bërë. “Mendimi im është se De Biazi gaboi në atë moment me heqjen e Salihit. Jo pse hoqi këtë lojtar por duhej të kishte aktivizuar Bogdanin apo ndonjë lojtar tjetër në sulm në mënyrë që ta mbanim Norvegjinë larg portës sonë sepse deri në ato momente ato nuk po na rrezikonin seriozisht. Megjithatë futbolli kështu e ka, mbase nganjëherë gjërat nuk të dalin sipas parashikimeve dhe trajneri është gjithmonë në qendër të vëmendjes me çdo lëvizje të tij”. Në fakt, me këto që thotë, nuk është se Beqiri ka ndonjë gjë me trajnerin italian. Asnjë inat, asnjë xhelozi nga fakti që reforma e rinovimit të skuadrës ka kapur edhe atë, madje ndër të parët. Madje, mbrojtësi shkodran e përgëzon De Biazin për mënyrën si e bëri rinovimin e kombëtares sonë e për këtë thotë: “Të gjithë ne kemi menduar se largimi I disa lojtarëve me emër për futbollin shqiptar, së fundi edhe I Skelës dhe Lalës, do të krijonte probleme megjithatë De Biazi ia ka arritur mrekullisht ta bëjë këtë gjë, madje duke gjetur një bollëk lojtarësh të rinj kudo nëpër botë dhe duke I veshur kuqeblu. Çka është më interesantja, është bërë rinovimi por ne vazhdojmë të jemi në vend të dytë në renditje dhe kjo është shumë positive për Shqipërinë. Unë besoj tek kjo skuadër se ajo do të luftojë deri në fund për ta mbajtur vendin e dytë”.
Gjergj KOLA