Starti i kampionatit të ri duhet të jetë me fitore për Vllazninë. Ky është mendimi i Elvin Beqirit, kapitenit të kësaj skuadre. Për të nuk është aspak problem nëse luhet ndaj kampionëve në fuqi, atyre të Skënderbeut sepse skuadra e tij është përgatitur për ta kaluar me sukses këtë sfidë. I rikthyer këtë verë sërish në Shkodër pas një “shtegtimi” në Azerbajxhan, ish-mbrojtësi i kombëtares shqiptare me një përvojë të madhe mbi supe si në kampionatin shqiptar ashtu edhe në ato të huajat, di ta bëjë diferencën me skuadrat e mëparshme që ka patur Vllaznia këto vitet e fundit.
“Këtë herë them se kemi një skuadër më solide. Ka shumë konkurrencë dhe kjo nuk mund të thuhet vetëm për një repart por për gjithë ekipin. Pikërisht kjo konkurrencë, do na ndihmojë të ecim përpara. Vllaznia e sivjetme është në rrugën e duhur për të pretenduar them unë sepse ka një skuadër më të mirë se ajo që ka patur në sezonet e fundit”- thotë lojtari që do mbajë sërish numrin 18 në fanellë ashtu si dhe më parë kur ka lujtur për këtë skuadër. Megjithatë kuqeblutë në ndeshjet miqësore që kanë zhvilluar këtë verë, në disa momente nuk kanë bindur aq sa duhet. Ndryshimet e shumta që ka pësuar skuadra në përbërje, e kanë bërë të domosdoshme mundësinë për t’u rregulluar nga ndeshja në ndeshje. Këtë gjë e ka thënë edhe trajneri Duro, e thotë edhe kapiteni Beqiri: “Vllaznia vërtetë ka treguar oshilacione në ndeshjet miqësore sepse lojtarët sapo kishin ardhur në skuadër dhe kuptohet që duan kohën e vet të ingranohen me njëri- tjetrin. Megjithatë nga ndeshja në ndeshje, mendimi i të gjithëve është se loja ka ardhur duke u përmirësuar. U pa kjo edhe në miqësoren e fundit me Adën. Deri në ndeshjen zyrtare me Skënderbeun, them se do kenë marrë fund eksperimentet tek Vllaznia dhe çdo gjë do jetë gati për ta nisur me fitore kampionatin e ri. është bërë një punë e mirë nga stafi drejtues, po ashtu edhe futbollistët kanë punuar me shumë përkushtim dhe tashmë nuk na mbetet gjë tjetër veçse të arrijmë objektivat që ka klubi”. Beqiri do luajë në mbrojtje dhe sëbashku me korçarin Osmani, kanë për detyrë të ngrenë barrierën e fundit përpara portierit Vujadinoviç. Kuptohet që nuk do jetë e lehtë për t’u përballur me sulmuesit më të mirë të kampionatit, madje duke nisur që nga ndeshja e parë ndaj Skënderbeut ku i duhet të ndalin Pejiçin me shokë. Megjithatë Beqiri nuk “trembet”. Ai mendon se nuk është duel lojtarësh apo repartesh por skuadrash dhe në këtë duel, Vllaznia mund t’ia dalë. “Ndaj Skënderbeut sigurisht që do jetë një ndeshje interesante por edhe delikate mendoj unë. Secili ekipi do të kërkojë ta nisë me fitore kampionatin dhe në këtë kontekst ne jemi duke u bërë gati që të jemi fituesit e këtij takimi. Do na ndihmonte shumë për ecurinë e mëtejshme. Forcat dhe mundësitë i kemi për ta arritur marrjen e këtij trepikëshi. Plus që do kemi edhe tifozët tanë të zjarrtë në mbështetjen tonë. Jam shumë i bindur se do ta fitojmë këtë ndeshje”-ka thënë Beqiri. Kur e thotë kapiteni, sigurisht që duhet t’i besojmë sepse ai flet në emër të skuadrës, e njeh mirë forcën dhe grupin që mbizotëron aty prandaj dhe duhet të presim rezultatin përfundimtar të ndeshjes për të parë nëse vërtetë Beqiri ka patur të drejtë apo jo.
Gjergj KOLA