Shtatë javë para fundit të kampionatit, Vllaznia e sheh veten në vendin e tetë të renditje. Vend ky që e çon atë në play-out duke rrezikuar seriozisht rënien sërish nga Superliga. Trajneri Hysen Dedja në fakt deklaroi se nuk e sheh skuadrën të rrezikuar duke konfirmuar edhe njëherë tjetër besimin tek lojtarët.
Por në fakt krejt ndryshe mendon ish- futbollisti i kësaj skuadre, aktualisht trajner i kombëtares U17 të Shqipërisë, Elvin Beqiri. Në një prononcim të bërë në emisionin “Sport Arena” në TV Rozafa ai i pyetur në lidhje me këtë deklaratë të trajnerit aktual të kuqebluve, është shprehur:
“Deklarata e trajnerit Dedja se nuk e sheh Vllazninë të rrezikuar mendoj se është bërë më shumë për t’i dhënë moral skuadrës. Realiteti në fakt është ndryshe. Me këtë barazimin ndaj Bylisit, rrezikon shumë. Edhe nëse do të kishte fituar, sërish do të ishim në ato ujëra, pra nuk do ishin të qetë. E përsëris, pas këtij barazimi Vllaznia është shumë e rrezikuar sepse javë pas jave ndeshjet sa vijnë e vështirësohen.
Javën tjetër do të luhet kundër Tiranës, ekipit që mban vendin e parë dhe aktualisht ekipi më në formë i kampionatit shqiptar dhe do të jetë e vështirë. Megjithatë futbolli dhuron edhe të papritura, mund të marrësh edhe rezultat pozitiv kur nuk e mendon, për më tepër që gjithmonë Vllaznia ndaj ekipeve të tilla si Tirana apo Partizani, ka bërë paraqitje të mira dhe ka marrë edhe rezultate pozitive”- ka thënë ai.
Beqiri ka folur edhe për largimin e trajnerit Mirsad Jonuz dhe emërimin në vend të tij të Hysen Dedjes. “Personalisht kam patur respekt për trajnerin Jonuz. E kam vlerësuar për punën e bërë dhe vazhdoj të ruaj respekt për të, por duhet thënë se mënyra e largimit nuk më ka pëlqyer. Duhej të ishte përshendetur me skuadrën, me stafin, të ishte prononcuar për ju gazetarët për problemet që ka hasur, e pastaj të ishte larguar.
Sa i takon emërimit të profesor Hysen Dedjes në vendin e tij, mendoj se ka qenë zgjedhja e duhur nga drejtuesit e klubit. Ai ka eksperiencën e duhur si lojtar e trajner, madje duke fituar trofe në të dy këto pozicione me Vllazninë. Në momentet që është skuadra, padyshim që kishte nevojë për një trajner me një eksperiencë të tillë, përpos që njeh edhe mentalitetin e shkodranëve dhe prandaj e thashë, ishte zgjedhja e duhur për pankinën e skuadrës në këto momente”- ka thënë trajneri aktual i kombëtares U17.
www.shkodrasport.com