Nga Maringlen ZHIVANI

Ish-mbrojtësi i Vllaznisë dhe i Kombëtares së Shqipërisë, shkodrani Elvin Beqiri, i ftuar në emisionin “Star Sport” në TV Star Plus, foli për situatën aktuale që po kalojnë kuqeblutë, duke u shprehur se shkodranëve u mungon menaxhimi i duhur gjatë 90-minutave. Beqiri tha se Vllaznia ka shfaqur shumë oshilacione, teksa shtoi se për momentin i sheh kuqeblutë ende të pa stabilizuar.

“Jam munduar ta ndjek Vllazninë çdo javë. Në përgjithësi, ekipi i Vllaznisë ka shfaqur oshilacione, për vetë ndryshimin e grupit të futbollistëve dhe poashtu rikthimi i trajnerit Brdariç. Ajo që më bën përshtypje është fakti që kampionati shqiptar nuk ka shumë diferenca dhe kjo është arsyeja kryesore pse ekipi i Vllaznisë nuk ka vazhdimësi. Për momentin, e shoh Vllazninë të pa stabilizuar.

Unë mendoj që Vllaznia si ekip pretendent duhet të dijë të menaxhojë një ndeshje. Duhet të ketë më shumë zotërim topi, sepse një ekip pretendent po nuk pati zotërim topi dhe po nuk e dominoi kundërshtarin me zotërim topi, atëherë nuk mund të jetë pretendent. Kështu që, për mendimin tim, në çdo ndeshje Vllaznia ka patur oshilacione. Unë mendoj se ky është defekti më i madh i Vllaznisë, mos zotërimi i topit ashtu siç duhet ta zotërojë një ekip pretendent gjatë një 90-minutëshi.

Ekipi i këtij sezoni mendoj që ka futbollistë mjaft cilësorë. Edhe prurjet që kanë ardhur, kanë qenë mjaft cilësore. Janë futbollistë me kualitet, futbollistë që kanë një farë eksperience në kampionatin shqiptar. Unë mendoj që disa prej tyre po e justifikojnë veten, por përsëri pritet shumë nga ato. Shpresojmë që edhe futbollistët shkodranë, me eksperiencën e tyre të madhe, të kenë një farë koordinimi, një farë harmonizimi me njëri-tjetrin për t’i dhënë cilësi ekipit dhe për t’i dhënë qëndrueshmërinë gjatë lojës me zotërimin e topit, sepse përndryshe nuk do jemi në pritshmëritë që priten dhe pastaj, patjetër që do ketë pakënaqësi edhe nga tifozëria, që mendoj se është një nga armët më kryesore të këtij ekipi.

Brdariç e ka treguar veten që në momentin e parë që ishte pjesë e Vllaznisë para disa viteve. Na surprizoi me mënyrën e lojës që ai zhvilloi. Dëshira e tifozëve në këtë rikthim të tij, ishte që të shikonin sërish të njëjtën gjë, por për momentin nuk po e shohim për shumë arsye që unë nuk i di. Brdariç është një nga trajnerët më cilësorë që është në kampionatin shqiptar dhe poashtu edhe te Vllaznia në dekadën e fundit. I ka dhënë shumë cilësi ekipit me idetë e tij, sepse vjen nga një shkollë me shumë futboll cilësor, me shumë kualitet dhe me shumë profesionalizëm. Kështu që, në vazhdim shpresoj që puna e tij të jetë sa më e mirë në vazhdim, por për momentin nuk po shoh atë Vllazni që jemi mësuar ta shohim nga Brdariç para disa viteve.

Unë Vllazninë e shoh kampione nëse përmirëson administrimin e lojës, që është më kryesorja. Për të dominuar kundërshtarin, duhet të kesh shumë cilësi, por edhe shumë komponentë të tjerë gjatë një 90-minutëshi që të dominosh. Në kampionat, po nuk pate vazhdimësi, nuk mund të jesh pretendent. Kështu që, unë e shoh Vllazninë për momentin larg pretendimeve. Çdo gjë është e mundur, por për momentin e shoh që ka shumë mangësi në pjesën e administrimit të lojës gjatë 90-minutëshit. Në qoftë se, Vllaznia nuk rregullon këtë pjesë, e shoh shumë të vështirë për të për të marrë pjesë edhe në katërshe, lëre më pastaj për kampion.”,-tha ish-mbrojtësi i Vllaznisë, Elvin Beqiri.