Historia 24 vjeçare e Adës ka dhuruar jo pak ngjarje interesante. Fitorja 5-0 ndaj Partizanit, eliminimi në Kupë i Dinamos e shumë e shumë gjëra të tjera, kanë bërë që kjo skuadër të shkruajë emrin e saj në futbollin shqiptar.
Nga rradhët e saj kanë dalë shumë emra e personazhe të njohura por sot do të ndalemi ndoshta tek më i veçanti, më “autentiku” i kësaj skuadre, Etrit Nika. Kjo ngaqë ai pikërisht sot ka ditëlindjen, feston 39 vjetorin e lindjes dhe me këtë rast, gazeta
“Shkodra Sport” i uron edhe 100 vite të tjera të lumtura!
Etriti ka lindur më 24 shtator 1981 në Velipojë dhe kuptohet që do të angazhohej që në moshë të vogël me futbollin amator
fillimisht, por krijimi i Adës në vitin 1996 bën që ai të rreshtohet si pjesë e saj ndonëse është vetëm 15 vjeç!
Dhe që prej atij momenti, nuk është shkëputur asnjëherë prej saj. Si askush tjetër, me përjashtim të presidentit Alfred Pjetri. Nika do të luante për shumë vite futboll (e ka bërë këtë deri para 2 vitesh) dhe do të ishte një sulmues shumë i spikatur jo vetëm i kategorisë së parë dhe të dytë, por nëse do t’i ishte dhënë mundësia, mund të kishte luajtur ndoshta me sukses edhe në kategorinë superiore.
Një lojtar që e njihte mirë portën kundërshtare, gjuante fort me të majtën e tij, por luante mirë edhe me kokë, ndërkohë që specialitet kishte edhe goditjet e dënimit perfekte.
Prej 3 vitesh sakaq ka nisur detyrën e trajnerit. Ka themeluar Akademinë e futbollit “Ada” dhe e drejton atë me sukses, duke fituar madje edhe tituj kampionë në futbollin amator. Ka dëshirën që fëmijëve dhe të rinjve të Velipojës t’u japë mundësinë e realimit të hapit të madh në karrierë, atë që vetë atij nuk ia dhanë.
Dhe pasioni me të cilin punon, padyshim që e bën të veçantë këtë njeri. Velipoja i detyrohet shumë këtij personazhi të njohur të futbollit, megjithatë duket se po jetojmë në momente kur figura të tilla nuk vlerësohen shumë. Etrit Nika gjithsesi duket i vendosur për të bërë më të mirë për futbollin velipojak dhe Adën dhe nuk ndalet përballë asnjë vështirësie./SHKODRA-SPORT.COM/