Dilema e zgjedhjes së trajnerit dhe drejtorit të ri sportiv të Vllaznisë është zgjatur më shumë sesa duhet por tashmë nga sa shihet, ka ardhur momenti për të marrë një zgjidhje.

Burime pranë klubit shkodran bëjnë të ditur se ndoshta brenda pak orësh, këto dy pozicione do të jenë të plotësuar me njërëzit e duhur dhe më pas, do të nisë menjëherë puna për sezonin e ri, ndeshjet e të cilit startojnë më 9 shtator.

Vendimi për emërimin e këtyre drejtuesve teknikë të klubit shkodran pritet të jetë kolegjial në mes gjithë drejtuesve të tij të cilët do të shqyrtojnë kandidaturat e paraqitura dhe më pas do të vendosin. Kuqeblutë nuk duhet të neglizhojnë më në këtë drejtim sepse nuk kanë kohë për të humbur.

Sa i takon pozicionit të trajnerit, emrat më të përfolur kanë qenë ato të Edi Martinit, Hasan Likës dhe Ervis Krajës, por nuk janë më pas ato të të huajve, Baldo Raineri dhe Dervish Haxhiosmanoviç dhe Asim Gjokoviç.

Ndërkohë, për postin e drejtorit sportiv emri më i lakuar ka qenë ai i Alban Nezirit madje në media të ndryshme është bërë fakt i kryer emërimi i tij.

Megjithatë asgjë nuk është zyrtare në këtë drejtim sepse ka edhe kandidatura të tjera që pretendojnë këtë post. Më shumë sesa emrat, e rëndësishme është që tek Vllaznia të nisë menjëherë puna.

Mbase në ditët e fundit të kësaj jave skuadra do të zhvillojë seancën e parë stërvitore ndërkohë që ajo pret edhe hedhjen e shortit për të mësuar se cilët ekipe do të ketë në grup me të cilët do të rivalizojë për ngjitjen në Superligë.

Kjo e fundit konsiderohet detyrë për kuqeblutë të cilët kanë zhgënjyer shumë tifozët e tyre me rënien nga Superliga sezonin e kaluar dhe tashmë duhet t’i çojnë gjërat në vend.

© shkodrasport.com