Ekipi i Vllaznisë në volejboll për femra që prej ditës së djeshme nuk është më pa trajner.
Vendi i mbetur bosh pas largimit të Sadije Gogës nga kjo detyrë, është zënë nga një trajner tjetër.
Dhe në fakt, kemi të bëjmë me një emër shumë të njohur. Ai është Mark Kroqi.
Njeriu që drejton Sportklub Vllazninë duket se është detyruar të veshë sërish tutat e trajnerit ndonëse kishte hequr dorë më parë nga një detyrë e tillë, menjëherë sapo shpalli kampion ekipin e meshkujve sezonin e kaluar.
Arsyeja që e ka shtyrë drejtorin Kroqi të bëhet trajner sërish mund të ketë qenë pikërisht mungesa e kandidaturave serioze për këtë post.
Dhe ai ka ndërmarrë një tjetër inisiativë shumë domethënëse. Një vit më parë shpalli kampion për herë të parë në historinë e tij ekipin e meshkujve të Vllaznisë.
Ekipi i femrave ndërkohë është shpallur tre herë kampion në historinë e tij, pikërisht në vitet 1947, 1957 dhe 1960.
Natyrisht që Kroqi do ta ketë të vështirë të shpallë kampion edhe femrat sepse kontigjenti nuk premton këtë gjë.
Megjithatë në dispozicion do të ketë një grup vajzash të reja shumë të talentuara që mund të bëjnë përpara në karrierën e tyre.
Në funksionin e trajnerit, sigurisht që ai nuk do të paguhet sepse nuk e lejon ligji një gjë të tillë, por do ta bëjë për pasionin që ka për këtë sport, të cilit i ka kushtuar rininë e tij.
© shkodrasport.com