Duke mos patur shumë hapësira në ekipin e parë, në verën e vitit të kaluar u federua tek “Vllaznia B”. Ekip në të cilin vazhdon të luajë gjatë këtij kampionati ku është duke bërë paraqitje shumë të mirë. E kemi fjalën për mesfushorin Emrah Fikaj.

Sezonin e kaluar ka qenë pjesë e rëndësishme e ekipit U19 të Vllaznisë që u shpall kampion i vendit dhe dha kontributin e tij në arritjen e këtij suksesi.

Sivjet po luan me “Vllaznia B” por është gjithnjë në vëmendjen e drejtuesve të ekipit të parë dhe njëkohësisht edhe të atyre të klubit dhe në të ardhmen nuk përjashtohet mundësia që të vihet në dispozicion të trajnerit Lika.

Fikaj edhe në ndeshjen e fundit ndaj “Kukësi B” bëri një paraqitje shumë të mirë. Shënoi golin e parë të ndeshjes, gol që i hapi rrugë fitores së thellë 7-2 të kuqebluve.

Ky ishte goli i dytë për të në kampionat dhe me siguri që në javët e ardhshme do të shënojë edhe të tjerë. Mesfushori që në muajin gusht mbush 20 vjeç konsiderohet një element me perspektivë dhe me siguri që e ardhmja e tij do të jetë më e mirë.
© shkodrasport.com