Një emër i njohur për futbollin botëror, me një të kaluar edhe në futbollin shqiptar, është bërë objekt i dëshirave të dy klubeve të njohura të Premier Ligës. “Bild” raporton se ish-portieri i Vllaznisë, Lutz Pfanenshtil, është një kandidat i mundshëm për të marrë rolin e drejtorit sportiv te Uest Hem apo Notingem Forest.

Pfanenshtil, i cili ka hyrë në librin e rekordeve Guinness për shkak se ka luajtur në çdo kontinent gjatë karrierës së tij, shkeli në futbollin shqiptar në sezonin 2006-2007, duke veshur fanellën e Vllaznisë.

Pasi mbylli karrierën si futbollist, ai nisi të skautit e më pas të drejtorit sportiv, ku u vu re se kishte shumë talent për këtë profesion. Nën drejtimin e tij, Fortuna Dyseldorf u ngjit deri në Bundesligë, e më pas, në vitin 2020, ai mori këtë rol te St. Luis Siti në MLS-në amerikane.

Oferta angleze duket tunduese për Pfanenshtil, por raportohet gjithashtu se puna që ka bërë në këto vite në MLS, e ka bërë një emër tërheqës edhe për klubet më të mëdha të futbollit amerikan.

Ata po shohin se si ish-portieri i Vllaznisë, dikur i njohur vetëm për aventurat e tij të çuditshme në vende ekzotike rreth e rrotull globit, tashmë është bërë një nga zbuluesit më të mirë të talenteve përtej Atlantikut.