Në orët e fundit ka qarkulluar një lajm se Sebastian Spahiu është afër kalimit tek Vllaznia. Shkodrani i cili mbylli bashkëpunimin pas 1 sezoni me Egnatian është shndërruar në një objektiv të lakmueshëm për kuqeblutë. Por duket se një pistë tjetër jashtë vendit është goxha e “nxehtë” për mesfushorin.
“Shkodra Sport” mëson nëpërmjet burimeve pranë lojtarit se Hungaria duket një destinacion shumë interesant për të ardhmen e 24-vjeçarit. Interesi, por duket se edhe oferta konkrete ka ardhur nga kampionati hungarez për ish-futbollistin edhe të Laçit në kampionatin tonë. Momentalisht emri i klubit nuk bëhet i ditur për mediat, në mënyrë që gjithçka të jetë konfidenciale.
Gara për shërbimet e Spahiut duket se vështirësohet për Vllazninë. Që nga ana e saj kërkon me këmbëngulje, madje që nga merkato e sezonit të shkuar ta ketë në gjirin e saj shkodranin e rritur në Belgjikë. Megjithatë merkato shpesh ka pasur kthesa të papritura dhe për momentin ende s’ka asgjë konkrete për të ardhmen e lojtarit.
Kujtojmë që Sebastian Spahiu aktivizohet prej 4 sezonesh në futbollin tonë. Ku spikati fillimisht me fanellën e Laçit e ndërsa sezonin e shkuar ishte pjesë e Egnatias. Me rrogozhinasit arriti të shënonte 4 herë gjatë Superiores së sezonit 2023-24. E po ashtu arriti të fitonte si kampionatin ashtu edhe kupën e vendit me fanellën rrogozhinase.
Endri ÇINARI