Nga Endri ÇINARI
Vllaznia nuk arriti të shkonte në finalen e kampionatit, duke u ndalur në barazimin 0-0 ndaj Egnatias. Rezultat që favorizoi rrogozhinasit për shkak të renditjes më të mirë gjatë sezonit të rregullt. Zhgënjimi ka qenë i madh tek ekipi, por edhe në rradhët e tifozerisë shkodrane. Që prej më shumë se dy dekadash pret titullin kampion të vendit.
Megjithatë pas ndeshjes të së premtes kundër Skënderbeut, që Vllaznia do zhvillojë për vendin e 3-të dhe të 4-ët, skuadra do marrë disa ditë pushime. Por puna për sezonin e ri do vijojë menjëherë tek skuadra. Duke nisur që nga merkato, ku do piketohen lojtarë cilësorë. Faza përgatitore për zhvillimin e ndeshjeve europiane, e po ashtu rinovimi i disa futbollistëve.
Tek Vllaznia janë lojtarë që kanë mbajtur peshën e sezonit të cilëve iu skadon kontrata në qershor. Emra si: Hakaj, Mala apo edhe Boshnjaku e mbyllin bashkëpunimin kontraktual me kuqeblutë. Për këta emra po punohet prej disa muajsh për rinovimin e tyre, por ende nuk ka pasur një zyrtarizim të marrëveshjeve të reja.
Të 3 futbollistët janë të lakmuar nga ekipe të vendit tonë apo edhe rajonit, të cilët janë të gatshëm ti afrojnë në gjirin e tyre për sezonin e ri. Prandaj tek shkodranët do punohet shumë që të ruhet boshti i skuadrës. Të cilëve mendohet ti shtohen sërish futbollistë të njohur. Për të formuar një skuadër të fortë për kupat europiane, por edhe edicionin tjetër të Superiores./www.shkodrasport.com/