Nga Endri ÇINARI

Kampionati i Kategorisë së Dytë uli siparin fundjavën e shkuar. Ku në grupin A ishte Iliria e Fushë Krujës që arriti të ngjitej në Kategorinë e Parë e ndërsa nga grupi B, do jetë Luftëtari që do luajë një kategori më lart sezonin e ardhshëm.

Megjithatë gara ende nuk ka mbaruar përfundimisht sepse në të dy grupet do luhen ndeshjet e “play off” për ngjitjen në Kategorinë e Parë dhe duele e “play out” për të mos u rrëzuar nga Kategoria e Dytë.

Kështu në grupin A ku ndodhen disa skuadra të qarkut Shkodër janë dy ekipe që do luajnë në “play off”. Ato janë Veleçiku dhe Tërbuni që do luajnë shanset e tyre për një ngjitje të mundshme në Kategorinë e Parë. Si koplikasit dhe pukajnët do kenë detyrën e vështirë në “play off” ku për të dy skuadrat vlen vetëm fitorja. Dhe do i luajnë ndeshjet e tyre ndaj kundërshtarëve përkatës në transferta.

Konkretisht ditën e shtunë në orën 15:00, Veleçiku do jetë vizitore në Luz përballë vendasve. Në një duel kundër një prej ekipeve më të spikatura të këtij sezoni në grupin A dhe që e mbylli edicionin në vendin e dytë. Po ashtu në të njëjtën ditë dhe orar edhe Tërbuni do ketë një transfertë të vështirë. Me pukjanët që vizitojnë Sopotin, ku libarzhdasit po ashtu bënë paraqitje pozitive duke merituar vendin e tretë në fund të sezonit.

Për të dy ekipet vlen vetëm fitorja, pasi barazimi favorizon ekipet vendase që janë renditur më lart në tabelën e klasifikimit gjatë sezonit të rregullt. Patjetër si për Veleçikun dhe Tërbunin s’ka asgjë për të humbur dhe ndeshjet e së shtunës mund të cilësohen si finale për të dy skuadrat.(www.shkodrasport.com)