Serxho Kalaj është rritur te moshat e Lacios dhe më pas ka kaluar te skuadra si Groseto, Kararese dhe së fundmi Frosinone, por gjithashtu ka veshur edhe fanellën e Shpresave të Shqipërisë.

Ai ka qenë edhe në stol në ndeshjen e Kupës mes Lacios dhe Interit dhe për këtë thotë: “Ka qenë një nga momentet më të bukura. Unë nuk luajta, por edhe thjesht ulja në stol ishte një emocion shumë i fortë”.

Mbrojtësi u bë një futbollist profesionist falë pasionit të trashëguar nga babai i tij Luk, siç e shpjegon edhe vetë: “Këtij sporti i jam përkushtuar që në moshë të vogël. Fillova në Marino në qytetin ku u rrita i shtyrë nga babai im që ishte një tifoz i çmendur i Lacios”.

KOMBËTARJA- Të njëjtat emocione ka provuar kur ka veshur fanellën e Kombëtares, ashtu siç ai shprehet për “FrosinoneNews” me Kristina Lukarelin: “Një ndjenjë e pashprehur, një adrenalinë e pandier kurrë më parë… nuk ka fjalë për ta përshkruar! Në fakt, ëndrra ime më e madhe është vetëm të vesh fanellën e Kombëtares shqiptare, të ndiej ato ngjyra në lëkurë, të shikoj qiellin dhe të di që edhe unë ia kam plotësuar dëshirën babait tim”, përfundon mbrojtësi.