Toni Kroos zhvilloi ndeshjen e fundit në “Santiago Bernabeu”. Mesfushori i madh gjerman ka vendosur të tërhiqet nga futbolli aktiv pas përfundimit të Euro 2024.
Finalja e Champions League përballë Dortmundit (1 qershor), do të jetë e fundit për një ndër më të mëdhenjtë e historisë në rolin e tij me fanellën “Los Blancos”.
Më pas Europiani me Kombëtaren dhe largimi përfundimtar nga futbolli aktiv si kampion. Një vendim i guximshëm për t’u tërhequr në momentin më të mirë.
Pavarësisht se mund të luante pa frikë edhe disa sezone në nivele të larta te Reali i tij i dashur ose në MLS-në amerikane, ku qetësisht dhe pa presion do të shijonte vitet e fundit të karrierës.
33-vjeçari u nderua nga tifozët, shokët, stafi teknik dhe klubi gjatë Real-Betis. Ndërkohë që emocionet shpërthyen dhe lotët nuk mund të mbaheshin më në momentin që përqafoi fëmijët e tij.
“Po përpiqesha të isha i fortë, pastaj pashë reagimin e fëmijëve të mi. Ata po qanin dhe një gjë e tillë më shkatërroi plotësisht…
Dua të falënderoj gjithë tifozët e Realit, klubin, shokët e mi, të gjithë. Në këto 10 vite këtu jam ndjerë si në shtëpinë time. Kam përjetuar momente të paharrueshme.
Tani shpresoj të fitojmë Championsin e 15-të, do të ishte mënyra më perfekte për t’u ndarë me Realin”, u shpreh gjermani unik, i cili do u mungojë të gjithëve.