Nga viti në vit siç dihet po shëno hen shifra rekord për Lotarinë Amerikane, me qindra mijëra shqiptarë në të gjithë vendin që aplikojnë rregullisht me shpresën se do të përzgjidhen për “Ëndrrën Amerikane”.

Por, nëse shumë shqiptarë shikojnë te Shtetet e Bashkuara të Amerikës vendin ideal për të ndërtuar një jetë dhe të ardhme të sigurt për veten dhe familjet e tyre, në anën tjetër kemi amerikanë që zgjedhin Shqipërinë. Kjo po ndodh kryesisht në aspektin sportiv e më konkretisht në basketboll. Siç dihet, kampionati shqiptar prej kohësh është kthyer në modë për basketbollistët amerikanë, të cilët e shohin si një trampolinë për nisjen e karrierës profesioniste.

Për vite me radhë, lojtarë të shumtë, me apo pa nivel janë bërë pjesë e basketbollit shqiptar, te meshkujt, te femrat, e madje deri në kategorinë e dytë, aq sa numri i lartë i tyre është kthyer në një prej problematikave më të mëdha në sportit e koshit, duke reduktuar në maksimum hapësirat për lojtarët vendës. Por le të ndalemi pak të shifrat e edicionit aktual sportiv, 2022-2023.

Në të dhënat e Federatës Shqiptare të Basketbollit janë plot 41 lojtare e lojtarë të huaj në kampionate, 30 te meshkujt dhe 11 te femrat, nga këta plot 32 vijnë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sigurisht pjesa më e madhe janë në Superligën e meshkujve, aty ku minimalisht çdo skuadër ka të paktën 2 lojtarë amerikanë. Ndonëse bëhet fjalë për një kampionat me vetëm 6 skuadra, numri i amerikanëve është plot 23 dhe kryesisht pjesa më e madhe e tyre janë titullarë në ekipet përkatëse.

Besëlidhja, Kamza dhe Teuta kanë nga 5 në përbërje, më pas vijnë Apolonia me 4, e më pas Tirana dhe Vllaznia me nga 2 amerikanë secila. Ndërkohë për sa u përket kombësive të tjera, përveç 23 amerikanëve në Superligë kemi edhe një lojtar nga Kameruni (Aron Njike i Vllaznisë) si dhe një francez (Kevin Granzan i Tiranës).

Por siç e përmendëm lojtarët “made in USA” kanë zbarkuar gjithashtu edhe nivelin e dytë të basketbollit shqiptar, me ekipe si Elbasani dhe Flamurtari që kanë respektivisht nga 1 dhe 2 lojtarë të federuar. Ndërsa në këtë kampionat luajnë gjithashtu edhe 2 lojtarë malazezë, të dy në Vlorë për Flmaurtarin. Ndërkohë Partizani dhe Skënderbeu janë skuadrat pa asnjë të huaj, kjo për zgjedhje, por gjithashtu edhe për shkaqe financiare.

Lojtaret e huaja janë në modë edhe në kampionatin e femrave, aty ku aktualisht figurojnë të federuara 11 të tilla. Edhe këtu dominojnë basketbollistet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (6), ndërsa kemi gjithashtu edhe lojtare nga Serbia, Mali i Zi, Bosnjë-Hercegovina, Bjellorusia dhe Kongo. Edhe te femrat gjatë këtyre viteve kemi parë finale ku në parket kanë qenë thuajse të gjitha lojtare të huaja.

E gjitha kjo situatë me numrin e pakufizuar të të huajve në kampionet tona, përtej një rritjeje momentale që sjell në nivelin e garës, është e pashmangshme goditja që u jep lojtarëve vendorë, të cilët duhet të ngrohin pankinat. Një situatë që reflekton qartë edhe në ekipet kombëtare, të cilat vijojnë të regjistrojnë rezultate shumë të dobëta.