Ndeshja e sotme mes Skënderbeut dhe Bylisit ka parë të vihet në zbatim përsëri në futbollin shqiptar VAR-i “Made in Albania”.

Gjyqtari ndërkombëtar Enea Jorgji, pas gafës në fundjave në Superiore ku nuk dha penallti të dukshme për Vllazninë, dha një penallti inekzistente në favor të Bylisit në fundin e pjesës së parë pas një fluturimi të Mëllugjës.

Me të drejtë lojtarët korçarë protestuan këtë vendim. Por ai insistoi duke bërë shenjë nga pika e bardhe dhe Mocone shkoi të gjuante për ballshiotët.

Por delegate i ndeshjes, ashtu siç ka ndodhur edhe më parë në Superiore, ka parë pamjet nëpërmjet përsëritjeve dhe njoftoi gjyqtarin ndërkombëtar se po bënte një gafë të rëndë. Kështu, në vend që të lejonte Moconen të gjuante, Jorgji bëri shenjë që penalltia anullohej, mes protestave të ballshiotëve tashmë.

Situata u tensionua në fushë me përplasjen e dy ekipeve, ndërsa u largua me karton të kuq Gentian Liçi, asistenti i Ilir Dajës, i cili kishte protestuar më ashpër. /vipsport/