Enes Isufi në fakt e ka moshën për të luajtur me ekipin U-17 por drejtuesit e Akademisë kanë vendosur që ai të luajë me një grupmoshë më të madhe sepse i ka aftësitë për ta bërë një gjë të tillë ndonëse është i datëlindjes 14.07.2000. Pra, ai ende nuk i ka mbushur 17 vjeç dhe po evidentohet si një element me shumë të ardhme. Luan në rolin e mbrojtësit të qendrës ku ka treguar një siguri dhe pjekuri të madhe, madje duke u shfaqur shpeshherë edhe si golashënues, siç ka bërë edhe në ndeshjen e sotme ndaj Brians ku ka shënuar njërin nga golat e fitores për ekipin e tij. Nga ana tjetër, Senad Hysenaj luan si mbrojtës i majtë, është i datëlindjes 17.10.1999 dhe dallohet për lojën e tij në këtë krah por edhe për goditjet e forta me këmbën e majtë dhe elementë të tjerë teknikë dhe taktikë. Grumbullimi i tyre me kombëtaren U-19 vjen vetëm pak ditë pas grumbullimit të pesë futbollistëve të tjerë të Akademisë tonë me kombëtaren U-17.
Dy futbollistë të tjerë të Akademisë Vllaznia grumbullohen sërish në ekipet kombëtare. Bëhet fjalë për Enes Isufin dhe Senad Hysenajn. Të dy ata ditën e nesërme do të paraqiten në kompleksin “Tropikal” në Durrës për t’u vënë në dispozicion të trajnerit të kombëtares U-19 Erjon Bogdani. Ky do të jetë një grumbullim katërditor për të parë gjendjen e secilit futbollist në prag të aktiviteteve të ardhshme. Në fakt, të dy futbollistët e mësipërm e meritojnë këtë grumbullim sepse po spikasin me paraqitjet e tyre tek ekipi U-19 i Akademisë Vllaznia.