Shkodranët e kanë ndjekur me interes miqësoren e djeshme në mes kombëtareve të 19 vjeçarëve të Shqipërisë dhe Kosovës.

E luajtur në “Loro Boriçi”, kjo miqësore është ndjekur prej tyre edhe për të parë dhe mbështetur të vetmin futbollist shkodran që luan në rradhët e saj, mbrojtësin Enes Isufi.

Ai ka qenë titullar për 90 minuta në fushë duke bërë një paraqitje të mirë dhe për më tepër, në pjesën e parë ka qenë dhe shumë pranë golit.

Pas një goditje këndi, ka goditur me kokë dhe topi është ndalur në shtyllë.

Stafi teknik i kombëtares tonë duket i kënaqur me performancën e këtij futbollisti por njëkohësisht, trajneri Erion Bogdani shprehet se ai duhet të vijojë të punojë fort.

“Këto dy ndeshje me kombëtaren U-19 ka luajtur Isufi i cili është një lojtar të cilin e ka ofruar edhe ekipi i parë i Vllaznisë.

Një lojtar i ri dhe me perspektivë por flasim gjithnjë për një moshë delikate dhe prandaj vetë lojtari duhet të punojë fort ditë përditë në mënyrë që të paraqitet sa më mirë me ekipin e tij dhe nuk diskutohet pastaj edhe tek skuadra kombëtare”- ka thënë trajneri kuqezi.

Bogdani në fakt ka folur edhe për futbollistë të tjerë të Akademisë Vllaznia të cilët spikasin në kampionat dhe ka deklaruar se dera e kombëtares është e hapur edhe për ta.
www.shkodrasport.com