Vllaznia e ka nisur si duhet kampionatin e Kategorisë së Parë, pasi skuadra shkodrane ka fituar dy ndeshjet e para kundër Korabit 2-1 dhe Burrelit 0-2. Në kupë, ekipi kuqeblu barazoi takimin e parë me Burrelin 1-1.

Ecuria është e mirë, por problemet janë prezente te Vllaznia dhe këtë e konfirmon dhe drejtori Engin Firat në një intervistë për Telesport.

Turku ka disa kohë në Shqipëri dhe tani e njeh kampionatin dhe ambientin më mirë. Kur i flet për intervistë Firati ka si parashtesë, “Intervistë po, por jo histori gossipi se kam dëgjuar shumë në Shkodër”.

Firat pranon fillimisht se Vllaznia ka probleme financiare dhe rrogat nuk kanë kaluar ende. Ai konfirmon lajmin e Telesport se skuadra shkodrane ka shumë kohë pa u paguar.

“E vërtetë, kemi probleme financiare. Deri tani, askush nuk ka marrë asnjë lek. Kur them askush përfshijë dhe veten dhe të huajt e tjerë, por ne vazhdojmë të bëjmë punën tonë dhe do të vazhdojmë të bëjmë aq mirë sa mundemi, pasi kjo është detyra jonë.

Kam informacion se do të zgjidhet shumë shpejt dhe kjo periudhë më ka shërbyer të shoh se kush mbështet vërtetë”.

Situata me ujin që pihet në zorrë nga lojtarët Shkodër nuk ka ndryshuar dhe Engin Firat e pranon vetë. “Sa i përket ujit dhe zorrës ju e dini vetë që kushtet në futbollin e Shqipërisë nuk janë aq të mira sa në Europën perëndimore.

Për të zgjidhur këto probleme duhet kohë dhe ne deri tani jemi marrë me problemet madhore, ndërsa do të merremi dhe me situata të tilla. Nuk e them këtë për t’u justifikuar, por duhet kohë”.

Nuk mund të mungote një koment për nivelin e kampionatit. “Nivelin e ligës e prisja, ka të bëjë më shumë me vrapimin dhe luftimin. Nuk është e lehtë të bësh futboll të vërtetë në këtë ligë.

Lojtarët duhet të mësohen me këtë ligë dhe futbollistët duhet të mësohen të vendosin zemrën në fushë, të vrapojnë dhe luftojnë. Kur të mësohen me këtë do të mundohen të luajnë dhe futboll të bukur. Nuk është e lehtë, pasi as fushat nuk janë të parametrave të duhura”.

Kupa mund të jetë e vetmja shpresë e Vllaznisë për arritjen e Europës. Firat mendon se skuadra do të luftojë fort në këtë kompeticion. “Objektivi ynë madhor është kampionati. Në Kupë do të luajmë në shtëpi kundër Burrelit, nëse fitojmë ose barazojmë 0-0 do të kalojmë në turin tjetër.

Tur ky që do të luhet më vonë. Ne kemi ndërmend të luajmë në Kupë dhe lojtarët duan të tregojnë veten përballë ekipeve të Superligës. Mund të jemi ne surpriza e Kupës”.

Kur pyetet për premtimet që ka dhënë, aktualitetin dhe çfarë ka ndryshuar, turku flet pa doreza. “Dua të ndalem këtu. Të jem i sinqertë shumë gjëra janë të limitura. Nuk mund të bëj punën time si në Europën perëndimore. Kam një muaj e gjysmë që kam filluar me Licin dhe trajnerin Lika.

Filluam kur ekipet e tjera i kishin nisur përgatitjet dhe duhet të merreshim me problemet e skuadrës dhe nuk kishim shumë kohë. Në këtë periudhë morëm Silvion, Ignatin dhe Zogajn.

“Kam dëgjuar fjalë për brazilianin që ai nuk ka shënuar kurrë, Zogajn që nuk ka luajtur dhe Ignat nuk është i mirë sa duhet.

Më vjen mirë që pas 3 ndeshjes njerëzit kanë ndryshuar mendjen dhe lojtarët po ndihmojnë skuadrën, por në janar duhet të gjejmë gjithmonë lojtarë më të mirë, për të bërë mirë. Kam përgatitur një plan projekt për skauting në Kosovë, Mal të Zi dhe Maqedoni, pasi ka shumë talente që duhet t’i marrim.

“Kam disa ide dhe për Akademinë, por duhet kohë, pasi nuk mund të bësh një projekt që zgjat 5-6 vite të aplikohet në 2-3 muaj. Kur thashë se dua të punoj me të rinjtë dhe do të shes lojtarë bënë shaka, por të njëjtën gjë kam bërë në Iran dhe rezultoi një sukses, pasi u shit një lojtarë për 5 milionë euro te Club Brugge.

Ne duhet të punojmë së bashku dhe të mos merremi me histori gossipi. Do bëjmë lidhje me skuadrat e huaja që të bëjmë një klub internacional. Do të mundohemi të bëjmë një imazh më të mirë. Do të mundohemi që të ndërtojmë një të ardhme më të mirë për klubin tonë. Shpresoj që këtu në Shkodër të kemi më shumë përkrahje“, – tha Firat./telesport/