Entri Çaku, trajneri kampion për të tretin vit radhazi me U-17 e akademisë Vllaznia, ka besimin e plotë se nëse skuadra e parë do të mbështetet shumë te shkodranët mund të jetë konkurruese sezonin e ardhshëm. “Unë jam dhe do të mbetem i mendimit se Vllaznia bazën duhet ta ketë nga Shkodra. Natyrisht që më bëhet qejfi dhe jam plotësisht dakord me drejtuesit e klubit, kur theksojnë se kërkojnë të rikthejnë G.Likën dhe Vucajn, por edhe lojtarë të tjerë me emër dhe që kanë spikatur në ekipet e tyre ku janë aktivizuar. Afrimi i sa më shumë shkodranëve në skuadër ka vetëm gjëra pozitive; do të ketë më shumë impenjim, grintë dhe përgjegjësi te gjithsecili prej tyre. Vllaznia nuk ka nevojë që të marrë 12 lojtarë të ardhur nga bota dhe jashtë Shkodrës dhe rezultati në fund të jetë ai që tanimë dihet. Drejtuesit duhet të mbështesin strategjinë e tyre te vendësit dhe natyrisht që të afrojnë lojtarë cilësorë që bëjnë diferencën me pjesën tjetër të ekipit. Mendoj se, nëse do të ndiqet kjo strategji, atëherë në fund të sezonit do të flasim të gjithë me nota pozitive”, – shprehet fillimisht trajneri kampion.
Të rinjtë – Natyrisht që të rinjtë dhe elementi që ka dalë nga duart e Çakut, por edhe kolegëve të tjerë të akademisë, si dhe jashtë saj, kanë gjetur jo pak mbështetje në fund të këtij sezoni te Vllaznia. Një pjesë prej tyre kanë treguar vlera dhe i kanë bindur drejtuesit e ekipit. Sipas Çakut, ka ende të tjerë, të cilët mund ta veshin këtë fanellë. “Nëse do të flisnim për elementin e ri, kam shumë për të thënë. Jo vetëm se jam pjesë atij grupi të madh trajnerësh që stërvitim këta djem, porse mund të flas shumë, pasi për një periudhë afro 3-4- vjeçare në akademinë Vllaznia po dalin dhe po rriten lojtarë kampionë. Për fatin e mirë nga ana e drejtuesve të klubit në fundsezonin e shkuar u është dhënë mundësia një pjese të mirë të tyre. Unë mendoj se ka përsëri lojtarë, të cilëve po t’u jepet mundësia mund të thonë si disa të rinj fjalën e tyre me shumë forcë. Drejtuesit duhet të besojnë tek ata, pasi një pjesë prej tyre kanë kaluar momente jo të mira sezonin e shkuar, ndërsa para ardhjes së teknikut Bushati dhe pasi ishin afruar 12 lojtarë, edhe aspekti psikologjik i tyre erdhi në rënie. Vllaznia e madhe nuk mund të mbahet vetëm me të rinj, por nëse gërshetohen mirë elementët, atëherë çdo vit do të fitojmë lojtarë të rinj për ekipin e parë”, – përfundoi Çaku.

“Më mirë tri afrime, por të jenë cilësore”
Vllaznia ka bërë afrimet e para të kësaj merkatoje, me një treshe malazeze. Për Çakun, afrime të tilla duhet që të pasohen nga të tjera cilësore, por gjithçka të jetë me kriter. “Nuk i kemi parë nga afër të gjitha afrimet e para. Flitet për lojtarë cilësorë dhe kështu besoj se do të jenë, pasi Bushati i njeh mirë. Nisur me këtë frymë, mendoj se duhet bërë edhe pjesa tjetër e merkatos. Duhen lojtarë që bëjnë diferencën. Më mirë tre dhe të saktë, sesa një numër i madh dhe në fund dështimi. Unë mendoj se tekniku Bushati e ka treguar këtë në merkaton e janarit, kur afroi vetëm një lojtar. Vetëm kështu mund të besoj te Vllaznia e së ardhmes”.
Admir Uruçi