Java e 21-të e Superiores do marrë formë këtë fundjavë, me disa takime shumë interesante. Dueli që bie në sy e patjetër që do marrë vëmendjen më të madhe është ai mes Vllaznisë dhe Tiranës. Klasikja e futbollit tonë do luhet ditën e dielë në orën 16:00 në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës.

Një duel që mund të rihapë totalisht garën për titullon kampion në rast suksesi të kuqebluve. Kjo pasi shkodranët janë të dytët në renditje pas kryeqytetasve, ku ekipi i drejtuar nga Mirel Josa momentalisht ka 31 pikë. 6 më pak se bardheblutë e Shehit që kryesojnë plot merita kampionatin deri më tani me shifrat e 37 pikëve të kapura pas 20 javësh.

Por në Shkodër duket se suksesi i fundit kundër Kukësit në shifrat 2-0 ka risjellur optimizmin. Jo vetëm në skuadër që ekziston një frymë pozitive, që realisht nuk ka munguar asnjëherë, por edhe në ambientin sportiv e atë të tifozëve. Edhe ekspertët e futbollit shkodran e shohin duelin kundër Tiranës si shumë deçiziv, kjo ndoshta më tepër edhe në aspektin e moralit për ekipin e Vllaznisë.

E ndërsa për tifozët shkodranë patjetër që ky është dueli më i ndjerë në kampionat. E ditën e dielë pritet të jenë të shumtë në shkallët e stadiumit.

Një atmosferë e tillë kaq pozitive e po ashtu humori që ka skuadra duhen shfrytëzuar në mënyrën më të mirë të mundshme kundër Tiranës. Kjo për të rikthyer edhe njëherë emocionet e titullit kampion, që në Shkodër mungon prej vitit 2001.
Endri ÇINARI