Ndalesa e kampionatit e ka rritur adrenalinën te Vllaznia dhe tashmë, skuadra do të synojë të hyjë në rrugën e duhur dhe brenda pritshmërive, qoftë me rezultate apo edhe me lojë.
Kuqeblutë kanë zhvilluar seancën e rradhës stërvitore me sytë nga përballja e së hënës së ardhshme ndaj Flamurtarit në turin e parë të Kupës së Shqipërisë dhe më pas, atë ndaj Teutës në kampionat.
Sot paradite, skuadra e drejtuar nga Mirel Josa vijoi përgatitjet me seancat stërvitore. Brenda kësaj kohe pritet që futbollistët të jenë në gjendje optimale dhe të nisin rezultatet dhe loja pozitive në Superiore.
Stërvitja e sotme filloi me nxehje të lehtë, ku përgatitësi atletik, bullgari Tzokov dhe zv/trajneri Vioresin Sinani vazhduan punën me futbollistët. Në fundin e seancës, ata zhvilluan edhe një lojë mes tyre. Harmonia në ekip shihet si një faktor kyç për një ecuri pozitive gjatë sezoni.
Të premten, Vllaznia është gati për ta rinisur kampionatin me fitore dhe për t’u afruar edhe më shumë nga zona e kreut, edhe pse kalendari i ka rezervuar një ndeshje mjaft të vështirë si ajo ndaj Teutës në Durrës. Ndoshta, mungesa e vetme te shkodranët për këtë ndeshje, do të jetë ajo e mesfushorit Lorik Boshnjaku, që vijon i dëmtuar.
Maringlen ZHIVANI