Opinion nga Fatmir Mëneri*

Ka mjaftuar një fitore në ditën e parë të kampionatit dhe në Shkodër ka shpërthyer entuziazmi. Si të ishte një epidemi ciklike, ka ndodhur edhe në fillime kampionatesh të tjerë, menjëherë kanë filluar të flasin për një skuadër të madhe, që mund të synojë Europën, pse jo, dhe Kupën e Shqipërisë.

Ndonëse nuk ka pasur “pindarikë” që të shkojnë deri te titulli, sërish kjo duhet frenuar. Më e pakta, të mos “dëgjohet” në skuadër. Ose më drejtpërdrejt: para se skuadra të “dëgjojë” miletin, mileti duhet të dëgjojë trajnerin. Dhe Cungu ka dhënë prova sistematike që di “të shfryjë tullumbace”.
Natyrisht që ka argumente për të besuar se ky do të jetë një sezon më i mirë. Edhe mbështetja e Bashkisë e angazhimi i zonjës Ademi janë sinjale të mbara. Por, njerëzit në Shkodër, para se të të përmendin emra të tillë si Lika, Vucaj e Hasani, aftësitë dhe eksperienca e tyre janë realisht të padiskutueshme, shto dhe faktin që janë të “shtëpisë”, duhet të përmendin dhe vargun e gjatë të futbollistëve të larguar, çka ka sjellë që organika e skuadrës të mos jetë aq e shëndetshme, jo vetëm cilësisht, por dhe numerikisht.

Ky entuziazëm duhet shfryrë edhe për një anë themelore që kushtëzon mbarëvajtjen jetëgjatë të skuadrës në pikëpamje teknike: drejtimin dhe funksionimin e klubit. Fatkeqësisht, në vend që të jetë në pararojë (do të ishte krejt e natyrshme, nisur nga fakti se “i ka dalë mjekra” në krahasim me klubet e tjerë dhe se futbolli në Shkodër ka një impakt ndryshe nga çdo qytet tjetër i vendit), ka mbetur në bisht.

Vllaznia vijon të jetë një shoqëri aksionere me kapital 100% të Bashkisë, çka në aspektin menaxherial do të thotë që është e “prangosur”. Eshtë arkaike në mentalitet, por është dhe e kufizuar në mundësi zhvillimi. Me shumë gjasë, duke patur garancinë që të jep të qenit nën ombrellë (mjafton që këshilli bashkiak të miratojë një fond optimal për klubin, pavarësisht se mund t’u bihet në qafë inestimeve në sektorë të tjerë të jetës së qytetit), po kthejmë me duart tona të dikurshmen “punë në shtet”.

Kërkohet guxim. Por edhe nëse nuk ka besim, përvojat e mëparshme nuk është se kanë rezultuar të duhurat për të hedhur hapa madhorë, le të fillohet me atë që mund të bëhet më thjesht e po kështu mund të mbahet më lehtë nën kontroll: të privatizohet aktiviteti. Nuk ka nevojë për teori relativiteti, por për artimetikë.

Dihet tashmë që buxheti i një skuadre pretenduese për trofe në Superligën tonë rrotullohet te një milionë euro. Një pjesë të konsiderueshme të kësaj shifre e zotëron Bashkia e Shkodrës; pjesa tjetër le të hidhet në treg. Dhe të afrohen ata që bindin, me financa e projekte. Përndryshe… epidemia do të kalojë. Largqoftë i merr ca shuplaka në fushë dhe kjo ka ndodhur tërë këto vite e menjëherë entuziazmi kthehet në dëshpërim dhe nis “aritmetika” e pikëve për të shpëtuar nga rënia. Mos ardhtë gjë nga goja…
*Botuar në Vipsport.al