Enveri e ka filluar sportin në moshë të vogël dhe në fakt ka qenë i dyzuar për të zgjedhur, futbollin apo atletikën. Me futbollin ka vazhduar deri me të rinjtë teksa ka qenë portier i ekipit të Vllaznisë por më pas e braktisi këtë sport sepse e pa veten më mirë dhe me më shumë të ardhme tek atletika. Garat e specializuara kanë qenë ato të 400 m dhe 400 m/p në të cilat ka arritur të shpallet edhe kampion kombëtar. Interesant është fakti se rezultatet e tij në garën e 400 metrave me pengesa, kanë vazhduar për vite e vite me rradhë pa u thyer sepse kanë qenë rezultate të niveleve të larta. Të gjithë e mbajnë mend rivalitetin që ka ekzistuar në ato vite me Vinçens Kacagjelin, kampionin e padiskutueshëm të kësaj gare dhe vetëm Enveri ka arritur ta mundë dhe t’i marrë titullin kampion. Megjithatë karriera e atletit të talentuar shkodran nuk ka vazhduar gjatë sepse për arsye ekonomike, detyrohet ta braktisë sportin dhe të merret me ndonjë zanat tjetër. Pak vite më vonë do të niste punën si trajner moshash në klubin Vllaznia, të cilën e ka vazhduar deri në vitin 1998 duke nxjerrë nga duart e tij disa kampionë.
Vitet e fundit të jetës i është përkushtuar familjes teksa bashkë me bashkëshorten e tij ka jetuar më së shumti jashtë vendit duke qenë pranë djemve të tyre që kanë zgjedhur emigrimin për të krijuar jetesën e tyre. Vdekja e Enverit është konsideruar e parakohshme nga gjithë kolegët e tij, nga gjithë sportistët dhe spordashësit shkodranë dhe më gjerë. Duke folur për kolegun e tij, Isak Bala do të thoshte: “Kemi qenë një brez bashkë me Enverin dhe Vildanin (Tufin). Kemi qenë bashkë sportistë dhe bashkë trajnerë dhe natyrisht ruaj mbresat më të mira për të. Një njeri i shkëlqyer dhe mbi të gjitha një familje e shkëlqyer. Si rrallë ndonjëherë ajo ka përmbledhur bashkë katër kampionë, Enverin, Myzejenin edhe kjo nja kampione e madhe e atletikës, djalin e madhe Ermalin një futbollist i mirë dhe djalin tjetër, Edmirin, një kampion dhe rekordmen i madh i atletikës. Vdekja e Enverit është një humbje për të gjithë ne dhe mbi të gjitha për familjen e tij”. E përmendi Isaku dhe besoj se nuk ka një rast të tillë kur të katër pjestarët e një familje të jenë të gjithë pjesë e sportit. Enveri do martohej me Myzejen Dulin, një kampione e madhe e atletikës shqiptare në vitet ’60. Familja Dervishi do kishte dy djem të cilët do zgjidhnin padiskutim edhe ata rrugën e sportit, ndonëse në drejtime të kundërta, njëri futbollin dhe tjetri atletikën. Edukata familjare dhe geni sportiv, i ka karakterizuar edhe ato dhe prandaj vlerat e Enverit janë rritur edhe më shumë. Jo tani që ai nuk jeton më por sepse i tillë ka qenë edhe para vdekjes. Një njeri i respektuar nga të gjithë. Pushofsh në paqe Enver Dervishi!
Gjergj KOLA