Një sezon e gjysëm në Tetovë me Shkëndinë dhe tashmë duket se kësaj aventure po i vjen fundit për sulmuesin shkodran Erald Çinari. Mediat maqedonase bëjnë të ditur se palët nuk do ta vazhdojnë më bashkëpunimin dhe një gjë e tillë konfirmohet edhe nga burime pranë lojtarit.

Por nga ana tjetër, ditën e sotme ka patur shumë lajme kontraditore rreth këtij futbollisti teksa bëhej fakt i kryer rikthimi i tij në Shqipëri dhe madje edhe firma me Vllazninë, por në fakt nuk ka asgjë të vërtetë.

Gazeta “Shkodra Sport” mëson se Çinari për momentin është nën kontratë me Shkëndinë e Tetovës deri më 15 qershor dhe pas kësaj date do të mendojë për të ardhmen teksa për momentin nuk e sheh si opsion rikthimin në kampionatin shqiptar.

28 vjeçari ka dëshirë ta vazhdojë karrierën e tij sërish në një kampionat të huaj dhe për këtë arsye do të shohë të gjithë opsionet e mundshme, megjithatë Vllaznia dhe kampionati shqiptar nuk duket të jenë fare në mendjen e tij./www.shkodrasport.com/