Erald Çinari po kalon sezonin më të mirë në karrierë në Armeni me ekipin e Noahs, ku po kryeson bindshëm kampionatin. E po ashtu, në aspektin personal shkodrani ka gjetur 11 herë rrjetën dhe ka dhuruar 5 asiste.

Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, 28-vjeçari flet pikërisht për këtë formë që po kalon dhe objektivat e skuadrës. Ndër të tjera ai ndalet edhe tek kampionati shqiptar, e në veçanti te Vllaznia.

Çinari, e vijuat ku e latë sezonin, me gola dhe paraqitje pozitive…

Po, është e vërtetë që e kam rinisur fazën e dytë të kampionatit me gola dhe jam i gëzuar për këtë fakt. Jam duke kaluar një moment pozitiv të formës personale. Kjo shkon sinkron edhe me ekipin, që gjithashtu po dominon në çdo takim. Kjo patjetër ta bën më të lehtë edhe të shfaqesh protagonist me gola dhe asiste. Uroj të vijoj në këtë rrugë deri në fund të edicionit!

Do ta prisnit një ftesë nga kombëtarja shqiptare?

Nuk besoj se ka ndonjë lojtar që nuk dëshiron të luajë me kombëtaren e vendit të tij. Përjashtim nuk bëj as unë, ku do të ishte ëndërr të vishja fanellën e skuadrës së parë kuqezi, duke qenë se në kombëtaret e moshave jam aktivizuar më parë. Momenti që po kaloj është pozitiv dhe unë duhet të përmirësohem edhe më tepër, e në fund janë të tjerët që vendosin për ftesën në kombëtare, apo jo.

Vllaznia-Partizani në mesjavë, si e parashikon?

Do të jetë ndeshje “delikate”, sepse Partizani pavarësisht se nuk po kalon një formë të mirë, kërkon të dalë nga momenti i vështirë. Dhe gjithmonë ekipi i Partizanit ka ditur të shfaqet në ndeshjet me të mëdhatë. Nga ana tjetër, Vllaznia në shtëpi kërkon të mos zhgënjejë dhe do të kërkojë rezultat pozitiv. Shoh një duel të balancuar, ku ekipi që gabon më pak, do të marrë suksesin. Uroj të jetë një ndeshje e bukur për tu ndjekur dhe të ketë sa më shumë tifozë.